“Ilaçet”, farmacistët kundërshtojnë Fondin Shëndetësor

“Ilaçet”, farmacistët kundërshtojnë Fondin Shëndetësor

Oda e farmacistëve të Maqedonisë nuk mbështet vendimin e djeshëm të Fondit Shëndetësor i cili njoftoi se nga data 1 tetor qytetarët ilaçet mund t’i marrin nga farmacitë vetëm përmes recetës së shoqëruar nga letërnjoftimi apo pasaporta. Kreu i Kuvendit të Odës së Farmacistëve thotë se një metodë e tillë do të krijojë më shumë kaos tek barnatoret e vendit, se sa një mekanizëm kontrollues siç e ka paraparë Fondi Shëndetësor, njofton Alsat.

“Lind pyetja a jemi ne personat adekuat të cilët mund t’i kërkojmë letërnjoftim apo pasaportë pacientit apo personit i cili do të marrë ilaçe në emër të pacientit. E dyta, a është ky mekanizëm i kontrollit të dhënies së terapive të tepërta nga ana e mjekëve apo farmacistëve. Unë mendoj se theks të veçantë duhet t’i vendosim përshkrimit të terapisë adekuate për pacientin i cili ka nevojë. Dhe ky nuk është mekanizëm adekuat për të bërë kontrollin sa duhet të dhënies së barnave qoftë në farmaci qoftë nga ana e mjekut amë – deklaroi Imer Imeri, Kryetar i Kuvendit të Odës së Farmacistëve.

Fondi Shëndetësor një ditë më parë njoftoi për vendimin e ri i cili pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm. Të kontaktuar nga Alsat krerët e Fondit nuk dhanë detaje mbi arsyet që morën një vendim të tillë duke thënë se gjatë ditës së nesërme do të shpalosin të gjitha detajet. Jozyrtarisht bëhet e ditur se vendimi është sjellë kryesisht me qëllim evitimin e keqpërdorimeve të ilaçeve nga ana e pacientëve dhe furnizimin e papenguar të personave të siguruar me ilaçe.

Për muajin gusht MSH mori vendim që nëpër qytetet turistike të vendit, të hiqen kuotat e ilaçeve me qëllim që qytetarët e siguruar të mos përballen me mungesën e tyre. Marrja e ilaçeve pa kuota u bë pikërisht përmes letër njoftimit, metodë e cila krijoi shumë pakënaqësi tek pacientët ndërsa kaos tek farmacitë.