Ilir Deda me fjalë të mira për Mimoza Kusarin, thotë se i duhet qeverisë VV-LDK

Ilir Deda me fjalë të mira për Mimoza Kusarin, thotë se i duhet qeverisë VV-LDK

Ish-deputeti Ilir Deda ka thënë se një qeveri VV-LDK duhet të angazhojë në qeverisjen e re Mimoza Kusarin, me të cilin ai themeloi Alternativën.

Edhe pse u largua nga kjo parti, Deda ka thënë se ish-bashkëpartiakja e tij ka përvojën e mjaftueshme për të qenë pjesë e qeverisë së re. Kusari-Lila ka garuar për deputete në listën e Vetëvendosjes që fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas rezultateve nga numërimi i votave të rregullta.

“S’dua t’i kthehem të kaluarës me Mimozën sepse veç pezmatohem edhe vetë, por edhe të tjerë. Kam menduar se opsioni më i mirë i daljes në zgjedhje do të ishte bashkimi i opozitës. Kur s’u arrit kjo kam menduar se më e vlefshme është ndaj njerëzve që më kanë përkrahur të mos marr pjesë në zgjedhje sepse do të tjetërsohesha. Pse? Sepse s’do të isha me idenë time. Kemi tentuar të bëjmë Alternativën por ajo ide fillestare dështoi. Atë duhet ta marrin në qeverisje sepse ka përvojë më shumë nga gjenerata e re që është aty. Duhet të angazhohet. Ka përvojë më shumë se të tjerët”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Për refuzimin e tij për përfshirje në listën e VV-së, Deda ka thënë më mirë do të ishte rianëtarësimi e jo që të hynte “nga një derë e vogël”.

Për të ardhmen, Deda ka thënë se s’do të ketë angazhim politik.