13 July 2018 / 17:29
Mbledhja e tretë e Komitetit ekzekutiv të Institutit ndërkombëtar në fushën e shkencës u mbajt në Maqedoni. Në mbledhjen e këtij Komiteti morën pjesë përfaqësues në nivel ministror nga të gjitha vendet e rajonit. Temë diskutimi e kësaj mbledhje ishte ndërtimi i një qendre apo instituti i cili do të shërbejë për sigurimin e mjeteve për shërimin e sëmundjeve të rënda me theks të veçantë kancerin përmes terapisë me proton. Ministri i Arsimit Arbër Ademi dhe ministrja e Shkencës së Malit të Zi Damjanoviç thonë se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në vendet e Evropës Juglindore por nuk bënë të ditur se ku do të vendoset qendra e Institutit.
Qëllimi i këtij Instituti është që të thellojmë bashkëpunimin në fushën e shkencës, në fushën e teknologjisë, industrisë, inovacionit e kështu me radhë dhe do të jetë në përfitim të të gjitha vendeve të rajonit për shkak se bëhet fjalë për një projekt dhe për një Institut rajonal. Prandaj, edhe sot në vazhdën e këtij takimi do të shpalosim idetë dhe propozimet për aktivitetet e mëpastajshme të cilët janë në drejtim të jetësimit të këtij Instituti. Fillimisht jemi duke diskutuar për idenë dhe për jetësimin e së njëjtës, pak rëndësi ka se në cilin vend, në cilin shtet do të jetë Qendra por ajo çka është e rëndësishme është se të gjitha vendet, komunitetet akademik, shkencor dhe prakticientët e të gjitha vendeve do të kenë vendin e tyre në administrimin e këtij Instituti- deklaroi Arbër Ademi, ministër i arsimit dhe shkencës.
Sot në mbledhjen e tretë të Komisionit ekzekutiv flasim për fazën e përgatitjes, edhe pse kjo më herët pra vitin e kaluar ishte vetëm ide. Për një kohë shumë të shkurtër kemi arritur shumë suksese në sferën politike, të shkencës në të gjithë rajonin. Ky projekt ka rëndësi të madhe për Evropën Juglindore dhe Maqedonia është një nga vendet e para që e ka përkrahur këtë projekt- theksoi Sanja Damjanoviç ,ministre e shkencës e Malit të Zi.