Instituti ATOMI certifikon mësimdhënësit e trajnuar

Instituti ATOMI certifikon mësimdhënësit e trajnuar

Sot me një ceremoni modeste Instituti ATOMI ka certifikuar mësimdhënësit, të cilët e kanë përfunduar me sukses trajnimin “Identifikimi dhe përkrahja e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente”.

Ky trajnim është Program Themelor i trajnimit për Mësimdhënës të Karrierës, me gjithsej 30 orë, i aprovuar (akredituar) nga MASHT, përkatësisht KSHLM, i cili ofrohet nga Instituti ATOMI dhe për qëllim që t’i pajisë mësimdhënësit me njohuritë, shkathtësitë, materialet dhe instrumentet e nevojshme, përmes të cilave ata do të jenë në gjendje që t’i identifikojnë dhe të ofrojnë përkrahje për nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente gjatë punës së tyre me këta nxënës në shkollë.

Në kuadër të këtij programi të trajnimit, i cili është organizuar gjatë periudhës nëntor 2018 – mars 2019, kanë qenë 3 ditë trajnimi, 3 ditë mentorimi, krijimi i portfoliove të rasteve dhe vlerësimi final i vijuesve, i bazuar në portfolion e krijuar dhe në testim.

Në këtë trajnim kanë qenë të përfshirë 100 mësimdhënës të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët të komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit. Ky projekt i trajnimit është përkrahur financiarisht nga organizata gjermane GIZ – Programi CDBE (Capacity Development in Basic Education), prandaj është ofruar falas për mësimdhënësit e përfshirë në këtë trajnim. Kështu që, Instituti ATOMI shfrytëzon rastin për ta falënderuar GIZ-in për këtë përkrahje të ofruar!

Instituti ATOMI mbetet me shpresë që përmes këtij aktiviteti të ketë kontribuuar sadopak në fillimin e krijimit të mekanizmave për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë që në nivel shkolle, duke shprehur bindjen se mësimdhënësit që e kanë përfunduar këtë trajnim do të kontribuojnë që nëpër shkollat ku punojnë të krijohet një klimë më e mirë e ambient më motivues, si dhe të ofrohen kushte e aktivitete të përshtatshme për nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, në mënyrë që këta nxënës të mund ta zhvillojnë dhe realizojnë potencialin e tyre intelektual, dhuntinë a talentin e tyre.

TAGS