INTERVISTË/ Adnan Ismaili: Këto janë planet e SHB “Logos-A për vitin 2018

INTERVISTË/ Adnan Ismaili: Këto janë planet e SHB “Logos-A për vitin 2018

Pas aksionit dhurues me rastin e 7 Marsit, që SHB “Logos-A” po e realizon këto ditë në bashkëpunim me SHB “Shkupi” dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë, Almakos përfitoi nga rasti për të realizuar një bisedë më të gjatë me drejtorin e SHB “Logos-A” nga Shkupi, Adnan Ismaili.

Me këtë rast biseduam për botimet e Logosit në vitin 2017, për planin botues në vitin 2018, për mbështetjen që i jepet kulturës shqiptare në Maqedoni, por edhe për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me librin dhe arsimin shqip, por nuk mundëm pa prekur edhe tema politike, në të cilat emri i tij shpeshherë është përmendur. Ndërkaq, meqë ai është pedagog i orientalistikës dhe njohës i mirë i Lindjes, shfrytëzuam rastin të flasim edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Almakos: z. Ismaili, na thoni fillimisht, si kaloi Shtëpia Botuese “Logos-A” me botimet e vitit 2017? A u përmbushur plani dhe sa jeni të kënaqur nga botimet që i nxorët në dritë?

A. Ismaili: Nga viti 2017 Logos-A ka vendosur që çdo vit të botojë nga 36 libra, duke dashur të japë mesazhin se çdo dhjetë ditë në Logos del nga një libër. Besoj se ky numër, për rrethana të shqiptarëve ne Maqedoni, është më shumë se solid. Sidoqoftë, puna e librit nuk është çështje e sasisë, sa është temë e cilësisë. Ndonëse jam drejtues i Logosit, dua të them se unë jam më së paku meritor që sivjet ne kemi sjellë në gjuhën shqipe vepra kapitale dhe të rëndësishme, që janë jo vetëm pasuri për bibliotekën e librit shqip, por edhe për historinë e librit shqip në përgjithësi. Janë këtu dy vëllimet për Xhemijetin – të përgatitura nga Dr. Skender Asani, që është vepra e parë në historinë shqiptare për këtë organizatë. Natyrisht, kishte edhe vepra letrare, si romani i Kim Mehmetit “Shpërngulja e të vdekurve”, poema “Zulija” etj., ndërsa do të më lejoni t’i theksoj edhe tri veprat leksikografike, njëra nga autori i famshëm botëror John Esposito me titullin “Fjalor i Oksfordit për Islamin”, e dyta është e autorit shqiptar nga Kosova, Nexhat Ibrahimi, me titull “Fjalor enciklopedi islam”, ndërsa e treta është ribotimi i Fjalori të sociologjisë nga prof. Ali Pajaziti. Konsideroj se këto vepra e mbushin një hapësirë të munguar jo vetëm të teologjisë dhe sociologjisë shqiptare, por më shumë se kaq. Mendoj se këto vepra janë shtylla të rëndësishme të cilat do të vlerësohen nga bota akademike. Meqë botuesit nuk ngopen asnjëherë duke folur për librat, do të duhet të përmend se edhe në fushën e shkencave sociale kemi sjellë vepra që do të vlerësohen nga lexuesi jonë. Këtu do ta përmend veprën e filozofit turk Ibrahim Kallën “Unë, tjetri dhe përtej”, pastaj “Qytete dhe qytetërime” nga Ahmet Davutogllu – edhe shqip edhe maqedonisht, si edhe “Republika në udhëkryq” nga Gëzim Selaci, “Etika publike” – një përmbledhje punimesh, “Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë” e të tjera. E theksova qëparë se për këtë më së paku unë jam meritor, sepse janë plot autorë, përkthyes, redaktorë e punonjës të tjerë që kanë lënë mundin dhe djersën e tyre për këto vepra. Marrë në përgjithësi, konsideroj se viti 2017 ka qenë një vit i mbarë për ne si botues, ndërsa uroj që edhe për lexuesin librat e botuara në këtë vit të pranohen ashtu. Zaten, ushqimi i botuesit është vlerësimi i lexuesit.

Almakos: Kur jemi te botimet, a mund të na zbuloni çfarë surprizash na keni përgatitur për vitin 2018?

A. Ismaili: Ndonëse surprizat janë të këndshme pikërisht sepse vijnë befas, për informacion të lexuesit që e ndjek botimin tonë, po i përmend vetëm disa tituj: “Ferit Pashë Vlora”, pastaj gjashtë vëllime me dokumente për shqiptarët në Maqedoni nga 1945 deri më 1974 nga Qerim Lita, vepra kapitale “Atlasi kulturor i Islamit” nga Ismail Faruki dhe Lejla Lamia Faruki, disa vëllime të sallnameve të vilajeteve shqiptare, një fjalor i diplomacisë, disa vepra letrare, disa studime në shkencat sociale etj. Mendoj se edhe këtë vit do ta arsyetojmë punën tonë. Le të mbetet diçka befasi!

Almakos: Meqë jeni gjatë kohë botues i shpërndarë në të gjitha trojet shqiptare, cili është perceptimi juaj për kulturën shqiptare në Maqedoni? A ndjeni se ka zhvillime pozitive dhe sa jeni të kënaqur nga mbështetja që e ofron shteti për avancimin e kulturës shqiptare në këtë vend?

A. Ismaili: Përkitazi me këtë temë herë pas here kemi pasur prononcime. Mjafton të shihet se çfarë investimesh marramendëse janë bërë për projektin “Shkupi 2014” dhe të shihni qasjen etnocentrike të shtetit ndaj kulturës. Ne si botues disa herë kemi reaguar. Edhe në kuadër të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë e kemi ngritur zërin, por kjo nuk është se ka ndryshuar diçka. Projektet kulturore shqiptare ose nuk financohen mjaftueshëm ose, ato që financohen, u ndahen aq pak mjete, sa mos të mund të realizohen fare. Prandaj, duke pasur parasysh sa kanë nevojë shqiptarët në Maqedoni për ta fortifikuar kulturën e tyre me projekte botuese, artistike, muzikore, filmime etj., ajo që në fakt bëhet me të a.q. mbështetje të shtetit është cinike. Do të doja që nga pushteti i ri të presim rezultate të reja, por edhe programi i vitit 2018 nuk dha shenja të mira.

Almakos: Duke qenë botues edhe i librave shkollore, na flisni pak për marrëdhënien që e ka Logosi me shkollat shqipe?

A. Ismaili: Logos-A për vite me radhë ka botuar edhe libra shkollorë, por edhe lektyra shkollore, madje një vit i ka botuar edhe ditarët e shkollave. Megjithatë, përvoja jonë nuk është se ka qenë edhe shumë e mirë. Derisa ne përpiqeshim të sjellim tekste të vërteta shkollore, duke bashkëpunuar me bashkëpunëtorët më të mirë jo vetëm të vendit, por edhe të Shqipërisë dhe Kosovës, në anën tjetër – për shkak të pakujdesisë ose interesave të tjera, sikur u harrua misioni i edukimit të gjeneratave me ato libra. Dhe, kur kjo kaloi vetëm në temën e përfitimit komercial, ne nuk e gjetëm më veten aty. Për neve nuk ishte me rëndësi vetëm fitimi, sa ishte me rëndësi standardizimi terminologjik, përfaqësimi i letërsisë, historisë, artit dhe muzikës shqiptare. Sidoqoftë, mendoj se shkollës shqipe i duhen libra edhe më cilësorë dhe gjendja aktuale lë shumë për të dëshiruar.

Mund të mos jetë modeste, por ne jemi përpjekur – aq sa kemi mundur – që veçanërisht t’i furnizojmë shkollat me lektyrat e klasave 1-4, të cilat i kemi botuar qysh moti dhe besoj se në këtë drejtim kemi bërë diçka. Megjithatë, letërsia shqiptare për fëmijë kërkon më shumë angazhim dhe më shumë botime.

E kur jemi te shkolla shqipe, ashtu siç është i informuar opinioni, sivjet në Këshillin Botues të SHB “Logos-A” është vendosur që, me rastin e festës së 7 Marsit, pra Ditës së Mësuesit Shqiptar, secilit arsimtar shqiptar në Maqedoni t’ia dhurojmë nga një libër dhe secilës shkollë shqipe nga 150 kopje librash, ku janë përfshirë lektyra, atlase e libra të tjera për fëmijë, që në total kalojnë mbi 30.000 libra. Kështu dëshirojmë të shprehim respektin tonë modest për punën e arsimtarëve shqiptarë, që janë pishtarët e identitetit tonë në këtë shtet. Ata meritojnë shumë më tepër, por ne mund të bëjmë kaq për ata.

Almakos: Kërkojmë ndjesë që e ndryshojmë temën, por meqë para do kohe patët një letër, ku thoshit se i keni ndihmuar partitë shqiptare, a mund të flisni cili është roli i Adnan Ismailit në skenën politike shqiptare në Maqedoni?

A. Ismaili: Për këtë temë u deklarova para disa ditëve dhe nuk di a ka nevojë të flas përsëri, por meqë e shtruar si pyetje, po them shkurt se unë asnjëherë nuk kam qenë anëtar i asnjë partie politike, por kam ndihmuar aq sa kam mundur e sa ka kam ditur për partitë politike shqiptare. Veçanërisht, bashkë me shokët, jemi përpjekur t’i ndihmojmë të plagosurit e UÇK-së në luftë dhe të ndihmojnë në aspektin humanitar popullatën e prekur nga lufta. Duke besuar se sjellin vlera të reja në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni, e kam ndihmuar edhe Lëvizjen BESA dhe kam pasur komunikim edhe me drejtuesit e asaj partie. E tash kur atje ndodhën këto probleme, disa nga ata edhe nuk e përmbajnë veten duke shpifur e thënë edhe gjëra që nuk i duron goja. Mua më mbetet vetëm shija e keqe e zhgënjimit dhe tradhtisë nga disa prej ata, por jeta vazhdon. Unë nuk jam penduar që u kam ndihmuar. Sidoqoftë, secili në jetë e ka pjesën e tij të përgjegjësisë. Unë vazhdoj të kem respekt për idenë e atij subjekti, sepse besoj se shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për më shumë ide të reja dhe frymë të re.

Almakos: Meqë jeni profesor universitar i orientalistikës, ndërsa edhe opinioni ju njeh edhe si njohës të mirë të marrëdhënieve në Lindjen e Mesme, a mund të bëni një sqarim për lexuesit tanë se çfarë po ndodhë atje?

A. Ismaili: Ndonëse njohja ime me Lindjen e Mesme më shumë është filologjike e kulturore, nga leximet e pakta dhe përcjellja e mediave të Lindjes, kjo për shkak të njohjes së gjuhëve lindore, mund t’ju them se në Lindjen e Mesme po ndodhë një proces i katarzës nga ngulfatja e botës së ideve përgjatë shekullit të fundit. Pasojat e kolonializmit, diktaturat dhe problemi i zhvillimit të mendimit filozofik e teologjik kanë rezultuar me atë që sot atje nuk merret vesh se kush me kë lufton. Mendoj se kemi edhe konflikt etnik, edhe sektar, por edhe interesa gjeopolitike dhe energjetike, që pikëpriten aty. Më e keqja e gjithë atyre problemeve janë katastrofat humanitare, që kanë shkaktuar miliona refugjatë, që tashmë janë problem për Turqinë e për Perëndimin, si edhe shumë tragjedi të tjera.

Sidoqoftë, kam shpresë se bota e qytetëruar tashmë po ndërgjegjësohet se ai konflikt duhet të përmbyllet dhe rajoni patjetër duhet të rehatohet. Pas kaq vitesh luftëra jam i sigurt se të gjithë janë lodhur e janë bindur se problemi detyrimisht duhet të përfundojë në tavolinën e bisedimeve.

Almakos: E kur flasim për Lindjen e Mesme dhe konfliktet që zhvillohen atje, detyrimisht na shkon mendja te pjesëmarrja e shqiptarëve atje. Sipas jush çfarë i shtyn këta shqiptarë të shkojnë atje dhe, nëse na lejoni, çfarë bën Logosi që shqiptarët të mos rrëshqasin në ekstremizmin e dhunshëm?

A. Ismaili: Sigurisht se pjesa më e hidhur dhe më e rëndësishme për ne është pjesëmarrja e shumë shqiptarëve të rinj në ato konflikte. Qoftë për shkak të indoktrinimit religjioz, qoftë për shkak të problemeve sociale dhe mungesës së perspektivës, për fat të keq shumë shqiptarë sot janë bërë pre e këtyre konflikteve dhe, përveç që kanë krijuar imazh jo të mirë për kombin tonë në botë, ata kanë lënë edhe pasoja dhe tragjedi familjare, por edhe probleme të tjera, që do të jetë vështirë të amortizohen edhe një kohë. Prandaj sa herë që flitet për ekstremizmin e dhunshëm, do të doja që më shumë të flitet edhe për temën e edukimit, duke i marrë për bazë të gjitha shkaqet që shpijnë në të, e jo vetëm për çështje të sigurisë. Ata njerëz nesër do të kthehen nëpër vatrat e tyre familjare dhe ky është një detyrim për shoqëritë dhe shtetet shqiptare që t’i rikthejnë në jetën normale, duke ofruar projekte socializimi, qofshin ato edukative, profesionale ose të tjera inkluzive. Po e përfundoj duke thënë se për zgjidhësit e problemeve nuk janë të rëndësishme të sanohen pasojat, por para së gjithash duhet eliminuar shkaqet e problemeve.

Në këtë kontekst do të thosha se ndihma e Logosit është në ofrimin e literaturës së mendimit islam, qoftë ajo e brumit autokton shqiptar ose e përkthyer, por komplementare me historinë, traditën dhe kulturën e shqiptarëve, sepse – mendoj unë – njëra ndër mënyrat më të mira të pengimit të ekstremizmit të dhunshëm është krijimi i mendimit religjioz autokton, tolerant, paqësor dhe bashkëpunues me të tjerët.

Almakos: Në këtë kontekst, si e shihni rolin e Turqisë në marrëdhëniet me shqiptarët?

A. Ismaili: Mendoj se Turqia është një aktor i rëndësishëm global dhe një aktor i rëndësishëm edhe për shqiptarët. Qoftë për arsye të sigurisë, të zhvillimit ose të bashkëpunimit kulturor, shqiptarët shohin te Turqia një aleat të rëndësishëm dhe një shtet mik. Natyrisht, Turqia sot i ka problemet e veta, si përballja me grupet e ndryshme terroriste, si PKK dhe FETO etj., por edhe problemet e tjera luftarake, si beteja në Afrin të Sirisë, që nuk e lënë të jetë e përqendruar për bashkëpunimin në Ballkan. Uroj që aksioni në Afrin të përfundojë me sukses dhe sa më shpejt, që edhe terroristët e PKK-së, FETO-s, ISIS-it dhe JPG-së ta marrin mesazhin se terrorizmi është një ves që nuk e duron bota e qytetëruar. Pas kësaj uroj që Turqia të vazhdojë ta kultivojë paqen, mirëqenien, stabilitetin dhe miqësinë edhe në pjesën tonë të botës.
Në përgjithësi, dua të them se ne kemi nevojë për Turqinë dhe për bashkëpunimin me të./Almakos

Intervistoi: Mevludin Imeri, Almakos
Fototografi: Arbnora Memedi, Almakos