INVESTIGIM: Ja si vaji i ullirit hungarez mbajti gjallë mediat maqedonase

INVESTIGIM: Ja si vaji i ullirit hungarez mbajti gjallë mediat maqedonase

Reklamat hungareze kanë ndihmuar në mbijetesën e mediave që mbështetin ish-kryeministrin e arratisur Nikola Gruevski.

Nga Goce Trpkovski

Rruga Boglarka në Budaors, një periferi e kryeqytetit hungarez, 12 kilometra larg Budapestit, nuk duket e veçantë në Google Street Vieë. Ajo i ngjan rrugëve në shumë periferi të tjera në Hungari dhe Europë – shtëpi me oborrë, lëndina, pemë, makina të parkuara para garazheve…

Në fund të rrugës ndodhet një shtëpi e vogël prej druri. Ajo është adresa e regjistruar e “Olivery”, një kompani hungareze që shet vaj ulliri të prodhuar në Kroaci, por që është reklamuar vetëm në disa media në Maqedoninë e Veriut.

Deri vonë, reklamat e “Olivery” donimonin në faqet e internetit të Kurir, Denesen, Republika, Lider dhe të tjera. Por ajo u zhduk në fillim të këtij viti dhe tani mund të shihet vetëm në Alfa TV.

Kompani të tjera të vogla hungareze i reklamonin produktet e tyre bë të njëjtat media dhe disa vazhdojnë ta bëjnë ende edhe sot, si “Bonyart”, një agjenci tregtare online, shitje produktesh dekorative për shtëpi si magnet për t’i vendosur te frigoriferi ose tabela që varen në derë. Një tjetër është “Skin Delight”, një kompani kozmetike.

Reklamat hungareze mbushën boshllëkun pas ndryshimit të pushtetit

Një vështrim i shpejtë në mediat ku janë vendosur këto reklama zbulon se ato nuk janë zgjedhur rastësisht.

Të gjithë ato i përkasin grupit të të ashtuquajturave media hungareze në Maqedoninë e Veriut, të kontrolluar nga tre kompani. Ata fituan këtë pseudonim pasi në to u investua kapital hungarez nga njerëz që shihen si anëtarë të strukturave propagandistike të kryeministrit hungarez Victor Orban.

Disa nga këto media dikur ishin në pronësi të kompanive të panjohura me qendër në Belize të Amerikës Qendrore.

Politikat editoriale të të gjitha këtyre ishin, dhe janë ende, mbështetëse të forta të ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE në Maqedoninë e Veriut dhe armiqësore jo vetëm ndaj rivalit të saj kryesor, Social Demokratëve, SDSM, por ndaj të gjithëve të tjerë që ish-partia qeverisëse i shihte si kundërshtarë.

Nën qeverinë e VMRO DPMNE, e cila u rrëzua në mes të vitit 2017, këto media u përdorën për të reklamuar fushata qeveritare dhe kompani të mëdha vendase.

Një prej kompanive që qëndron pas faqeve të internetit, “Em Media”, mori 25,000 euro në dy muaj në vitin 2015 direkt nga qeveria e atëhershme, tregojnë të dhënat e thesarit.

Të njëjtat të dhëna zbulojnë se një numër institucionesh shtetërore, siç janë ministria e ekonomisë, ajo e arsimit, e transportit dhe komunikacionit, e Medisit, si dhe agjencitë shtetërore për punësim dhe regjistrimin e tokës, vendosën të gjitha reklama në faqet e internetit të “Em Media”, me një çmim që varionte nga 250 deri në 500 euro një herë.

Një tjetër kompani mediatike, “Prva Republika”, mori 32,000 euro në vitin 2015 nga qeveria e Maqedonisë së Veriut të shpjeguara si “shërbime të tjera kontraktuese” pa specifikime të tjera. Ajo publikoi edhe shumë reklama nga institucione të tjera dhe mori para për këtë.

Pasi qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE nën udhëheqjen e Nikola Gruevskit humbi pushtetin, në këto media u shfaqën probleme.

Në vitin 2017, pati vonesa në pagesën e pagave. Disa prej tyre u desh të mbylleshin, siç mund të përmendim revistën Republika, Radio Maqedonia e Lirë dhe TV Nova. Të tjerët u riorganizuan dhe prezantuan programe të reja.

Por për këto, kur reklamat shtetërore nga Maqedonia e Veriut pushuan, boshllëkun që lanë ato e mbushën reklama të reja nga Hungaria.

Në mesin e vitit 2017, shumë kohë para se Gruevski të largohej nga Shkupi në Budapest për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg, një çift hungarezësh, Peter Schatz dhe Agnes Adamik, të dy ish-drejtorët në televizionin shtetëror hungarez, lëvizën në drejtim të kundërt, duke bërë një hyrje të madhe në tregu mediatik i Maqedonisë së Veriut.

Lojtarët operojnë nëpërmjet kompanive të shumta

Vaji i ullirit “Olivery” ishte një nga sponsorët kryesorë të mediave që mbështesnin ish-partinë në pushtet në periudhën pasi qeveria në Maqedoninë e Veriut ndryshoi.

Ai mbështeti redaksitë e tre ose më shumë gazetarëve, komentuesve, kameramanëve dhe stafi tjetër, sipas seksioneve të përshtypjeve në faqet e tyre të internetit.

Kërkimi nëpërmjet mjeteve të specializuara i përmbajtjeve të kaluara në internet zbulon se reklamat e vajit të ullirit filluan të shfaqen në vitin 2017, që është edhe periudha kur në to hyri kapitali hungarez.

Lojtarët kryesorë për shpërndarjen e këtij kapitali ishin Adamik dhe Schatz. Faqet e internetit të mbështetura nga kapitali hungarez janë të lodhura me tre kopmpani, “Em Media”, “Prva Republika” dhe “LD Press Media”.

“Em Media” zotëron domeinet e Kurir, Deneshen, Vistina, Ekonomski dhe Zdravstvo. “Prva Republika” regjistroi faqen e internetit të Republika dhe Pressing TV, një stacion televiziv në internet. Lider ishte një faqe interneti në grupin “Em Media”, por më vonë u mor nga kryeredaktori i saj Ljupcho Zlatev. Sot është pjesë e “Prva Republika”.

“LD Press Media” është botuesi i agjencisë së lajmeve “Netpress”, më parë në pronësi të kompanisë “Finzi”. Kjo kompani dhe pronari i saj i ndjerë, Kosta Krpach, i cili u gjet i vdekur me një plagë me armë zjarri në banesën e tij në Shkup në vitin 2016, në moshën 40 vjeçare, u përfshinë në blerjen e pajisjeve izraelite të përgjimit për policinë sekrete. Prokuroria Speciale në Maqedoninë e Veriut, e ka hetuar këtë rast, të koduar “Trezor”, i cili tani është në gjykatë.

Të tre kompanitë kanë të njëjtin pronar maxhoritar, “Adinamik Media Company”, e themeluar më 26 Shtator 2017, në pronësi të plotë të “Adamik”.

Schatz është pronari kryesor i Alfa TV përmes katër kompanive. Alfaskop është emri i kompanisë që zotëron drejtpërdrejt Alfa TV. Ajo është në pronësi të katër kompanive, nga të cilat “CHS Invest Group” ka shumicën e aksioneve. Pronari i shumicës së aksioneve të “CHS” është “Target Media”, e cila është në pronësi të Schatz. Ajo është regjistruar më 11 prill 2017.

BIRN dërgoi pyetje për menaxhuesve të secilës kompani që drejton median “hungareze” në lidhje me reklamat nga kompanitë hungareze.

Ne i pyetëm ata nëse u ishin afruar kompanive, apo nëse ishin kontaktuar nga vetë ato, për çfarë paketash reklamuese kishin rënë dakord dhe nëse ka ndonjë interes për produktet e tyre në tregun e Maqedonisë së Veriut, ndër të tjera.

Ne morëm përgjigje nga Lidija Stanchevska Kumeva e “LD Press Media”, në lidhje me reklamat për “Skin Delight”, dhe nga Jani Bojadzi i Alfa TV, për vajin e ullirit.

“Skin Delight po reklamohet në faqet e internetit të agjencisë së lajmeve Netpress në përputhje me kontratat e arritura përmes bërjes së ofertave, të cilat nuk mund të bëhen publike për shkak të konfidencialitetit të biznesit të të dy kompanive”, tha Kumeva për BIRN.

Ajo shtoi se agjencia e lajmeve nuk ishte në dijeni nëse kishte ndonjë interes për produktet e kompanisë në tregun e Maqedonisë së Veriut, duke sugjeruar që këtë pyetje t’ia bëjmë direkt kompanisë “Skin Delight”.

Bojadzi tha gjithashtu se informacioni në lidhje me bashkëpunimin midis TV dhe kompanisë ishte konfidencial dhe kompanitë mund ta zbulonin atë vetëm nëse dëshironin.

“Kompanitë i përmbushin rregullisht detyrimet e tyre ndaj Alfa TV siç përcaktohet në kontratat për bashkëpunim. Kur u bëra menaxher i Alfa TV (më 18 gusht 2019) kompanitë që përmendët tashmë kishin nënshkruar kontrata, kështu që nuk e di se si u krijua bashkëpunimi. Ne nuk mund t’u përgjigjemi pyetjeve të tjera pasi ato nuk janë pjesë e operacioneve tona të biznesit të regjistruara në Regjistrin Qendror të Maqedonisë”, tha Bojadzi në një përgjigje me email.

Pak para për shumë reklama

Në pamje të parë, nuk ka asgjë të çuditshme për kompanitë hungareze që reklamojnë në media me pronësi hungareze në Maqedoni. Megjithatë, “Olivery” nuk është një kompani e madhe me distribucion ndërkombëtar. Një biznes i vogël, i themeluar në vitin 2017, në vitin e tij të parë kishte të ardhura totale prej rreth 5,000 eurosh. Vitin tjetër, në vitin 2018, ai pati një xhiro prej 7,000 euro, nga të cilat 4,100 euro ishte fitim, sipas të dhënave që kemi marrë.

Pavarësisht këtij fluksi të vogël parash, kompania u promovua me reklama në faqe interneti për më shumë se një vit dhe vazhdon ende të reklamohet në një stacion televiziv kombëtar. Në një periudhë, ajo ishte sponsori i vetëm i dy faqeve të internetit, Lider dhe Deneshen.

Çuditë me këtë kompani nuk përfundojnë këtu. “Olivery” shet vaj ulliri për 15 euro për litër, plus tarifat e dërgesës. Çmimi i përgjithshëm mund të arrijë deri në 70 euro për shishe, për të mbërritur në Shkup nga Budapesti. Sipas reklamave, ai është vaj ulliri normal dhe nuk prezantohet si një produkt me përfitime të veçanta shëndetësore. Ai nuk prezantohet si një vaj ndryshe nga vajrat e ullirit që shiten për pesë deri në shtatë euro për litër në supermarkete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Edhe me këtë çmim shumë jo konkurrues, ai vazhdon ende të reklamohet në Maqedoninë e Veriut. Investigimi i BIRN tregoi se reklamat nuk mund të gjenden në asnjë vend tjetër, përveçse në faqet e internetit të Maqedonisë së Veriut.

“Bonyart”, nga ana tjetër, nuk është një kompani e veçantë, por një shërbim në pronësi të një firme më të madhe, të quajtur Yozzi, e cila pati një fitim prej pak më shumë se 8,000 eurosh në vitin 2017 dhe rreth 6,000 euro në vitin 2018. Sipas mediave hungareze, pas saj qëndron Miklos Bonyar, një ish-politikan hungarez që zotëronte disa media në fillim të viteve 2000, por që më vonë u tërhoq nga mediat dhe politika dhe u përfshi në biznese të tjera.

“Skin Delight” madje nuk është as një kompani. Ajo është e regjistruar si një sipërmarrës individual, për këtë arsye të dhënat për të ardhurat e saj nuk janë të disponueshme për publikun. Pronarja, Lila Kosa, është një ish-avokate nga Budapestit që ndryshoi profesion pas tre viteve qëndrim në Bali. Ajo reklamon në gjuhën hungareze në Maqedoninë e Veriut. Klikimi i reklamave të “Skin Delight” i çon lexuesit maqedonas në versionin hungarez të faqes së saj të blerjeve online.

Vepron me këshillë të një miku misterioz

Pronari i “Olivery” nuk iu përgjigj emaileve ku pyetëm për arsyen pse firma hyri në tregun maqedonas me çmime të tilla jo konkurruese. Por pronari, i quajtur Peter Pascay, duke folur pak më parë në faqen hungareze të internetit Narancs, tha se reklamat e bëra në mediat e Maqedonisë së Veriut nuk kushtonin shumë dhe ai ishte i detyruar të paguante vetëm nëse dikush porosit produktin e tij.

Pascay dhe “Bonyart” në intervista të veçanta thanë për Narancs se “një mik” i kishte sugjeruar ata të reklamonin në Maqedoninë e Veriut pasi ata u kishin treguar planet për të zgjeruar bizneset e tyre. Lila Kosa tha për Narancs se ajo fliste vetëm për “bukurinë e jetës” dhe nuk pranoi të citohej në artikuj që kishin të bënin me politikën.

Ndërsa “Olivery” heshti, “Bonyart” iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëpërmjet Facebook-ut. Ai i tha BIRN se po zgjerohej në shumë vende dhe ishte përpjekur të hynte në tregun e Maqedonisë së Veriut përmes reklamave. Megjithatë, pasi kontratat përfunduan, ai vendosi ta ndalonte reklamimin. Ajo nuk zbuloi asgjë më shumë në lidhje me kontratën e reklamimit (sasi fikse apo për shitje), duke përmendur konfidencialitetin e biznesit.

“Bonyart” nuk zbuloi se kush ishte miku misterioz, duke thënë se nuk ishte çështje për publikun e gjerë. I pyetur nëse e njihte politikën editoriale të faqeve në internet ku diku reklamonte, u përgjigj se interesi kryesor i saj ishte biznesi dhe jo politika.

“Të vetmet vende ku nuk do të vendosnim kurrë reklama janë faqet e internetit fashiste. Por ne besojmë se miku ynë s’do të na kishte rekomanduar kurrë faqe të tilla. Ne e vlerësojmë shumë punën e gazetarëve dhe mediave dhe e kuptojmë rëndësinë e tyre. Kjo është arsyeja pse jemi të hapur për pyetje”, u përgjigj kompania. (birn)