Faton Fazliu
Ditëve të fundit disa derdimenë të politikës, kur e marrin vesh se po gatuhet një koalicion, që ata i dërgon në historinë e turpit, janë aktivizuar turravrap me akuzën “AlternAtivA është me Iranin”.
Natyrisht, kjo akuzë do të ishte më e besueshme të mos e thoshte dikush që është në listën e zezë amerikane (bashkë me Kasëm Sulejmanin), por kjo si duket ka qenë lëshim i skenaristit.
Megjithëse nuk i merr askush seriozisht ata halabakë të listës së zezë amerikane, dua ta sqaroj se pse bëhet pikërisht ndërlidhja me Iranin.
Në kohën që VMRO-ja ishte armik i shqiptarëve, armik i Amerikës, mik i Rusisë dhe simbol i krimit dhe korrupsionit, pikërisht këta që natën betoheshin “do smrt”, ditën na sulmonin se ne jemi me VMRO-në. Ndonëse harronin se akuza e tyre ishte si moralizimi i grave të përdala, që natën i ndërrojnë shtretërit, ndërsa në mëngjes shesin moral. Ata i shërbenin për 15 vjet radhazi VMRO-së, ndërsa na akuzonin neve për bashkëpunim me VMRO-në pa pasur asnjë ditë bashkë me ta.
Tash, më 2020, kur VMRO-ja nuk është më gogoli, duhet shpikur një përbindësh të ri. Dhe, ky është Irani. Sepse Irani është vend shiit, ndërsa shqiptarët myslimanë janë 100% sunnij, është shtet antiamerikan, është aleat i Asadit në Siri dhe është aleat i Serbisë. Skema e njëjtë, por vetëm personazhi tjetër – dikush që shqiptarët e urrejnë. Tashmë protagonisti i storjes nuk është VMRO-ja, por IRANI.
Akuza e ardhshme mund të jetë “Jeni me Kinën” ose “Jeni me Kubën”. Sepse nuk mbeti shtet tjetër për të na ndërlidhur.