5 May 2018 / 16:15
Drejtoria e Institutit të Shëndetit Publik hedh poshtë konstatimet e Revizorit Shtetëror për keqpërdorime financiare. Kreu i këtij institucioni Shaban Mehemti mohon të ketë pasur keqpërdorime në para nga ana e tij dhe punonjësve të Institutit. Konstatimet e Revizionit shtetëror ai i cilëson si lëshime teknike dhe jo si keqpërdorim të shërbimeve zyrtare. Drejtori Memeti thotë se do të kërkojë përgjegjësi nga punonjësit e Institutit për lëshimet e konstatuara nga ana e Revizionit Shtetëror.
Do të ketë përgjegjësi të caktuar nëse ka keqpërdorime të caktuara por nuk mund të paragjykoj tani për momentin se do të ketë sanksione. Keqpërdorime në para, në valuta në monedha nuk ka. Është shumë punë teknike që të mund të sqarohet, nuk e kam dokumentin me vete ta sqaroj. Shërbimet hotelierike në nivel të Institutit nuk janë harxhime të drejtorit, ta pastrojmë këtë punë. Manipulimet janë të kategorive më shumë teknike, ju garantoj se nuk ka teori asnjë gjasë asnjë euro të ishte vjedhur nga Instituti, për këtë do ta dëshmojë edhe në të ardhmen prej punëtorëve të caktuar, prej sektorëve të caktuar. Vërejtjet janë teknike, është vonuar, nuk është vonuar – tha Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.
Ish antikorrupsioneri Arfi Musa thotë se duhet të ketë përgjegjësi dhe sanksionim ndaj personave të cilët bëjnë keqpërdorime të detyrave zyrtare.
Institucionet shtetërore nuk janë imune nga keqpërdorimi i mjeteve buxhetore. Duhet të shohim se si Qeveria e re është reformatore dhe zotohet se do ta zbatojë ligjin dhe do t’i ndëshkojë të gjitha ato keqpërdorime që janë bërë në periudhën e kaluar. Konstatimet e Revizionit janë më se evidente, sepse më lehtë dhe më mirë tek paratë e gatshme te të cilat manipulojnë arkëtarët normalisht me urdhër të drejtuesve, nuk e bëjnë punën e vetë si duhet. Mbetet vendimi i organeve se si dhe sa do t’i qasen këtij problemi dhe kësaj mënyre të veprimit të organeve shtetërore në të ardhmen – u shpreh Arif Musa, Ish Anti Korrupsioner.
Nga Prokuroria Publike thanë për ALSAT se gjatë ditës së hënë do të shihet nëse Raporti zyrtar i Revizionit ka mbërritur deri në Prokurori dhe nëse kjo e fundit do të hap hetime mbi punën e Institutit. Ndryshe, Revizioni shtetëror shpalosi një sërë parregullsish në punën e Institutit të Shëndetit Publik. Shfrytëzimi i veturave zyrtare për qëllime personale, shfrytëzimi i lëndëve djegëse në llogari të Institutit dhe mos definimi mbi atë se kush dhe sa mund të harxhojë nga buxheti i tij ishin vetëm disa nga parregullsitë e konstatuara. Revizioni shpalosi se ISHP ka harxhuar para prej 444 mijë denarësh nëpër restaurante dhe kafiteri pa sqarime nëse të njëjtat janë shfrytëzuar në mënyrë ligjore dhe për nevojat e Institutit. Poashtu raporti revizor tregoi se paratë e pacientëve të cilat i ka pranuar arkëtari i Institutit të Shëndetit Publik nuk janë dhënë në kohë deri tek Spitalet, por me vonesë prej 2-3 muajsh, ndërkaq mjetet e paguara nga pacientët privat i ka paguar me vonesë të theksuar, gjegjësisht 2-3 herë në vit.
Vjollca Aliti