“Isuf Kalo, doktor Adhamudhi i Bllokut”, shkrimtari Sadik Bejko i përgjigjet Henri Çilit: Librin e prezanton biri i ish-nëndrejtorit të Institutit të Nexhmijes

“Isuf Kalo, doktor Adhamudhi i Bllokut”, shkrimtari Sadik Bejko i përgjigjet Henri Çilit: Librin e prezanton biri i ish-nëndrejtorit të Institutit të Nexhmijes

Nga Sadik Bejko

Doktor i Ri i Adhamudhit tek “Blloku”

(Përgjigje H. Çilit, botuesit të tij)

Profesor Isuf Kalo, ish-doktori i Adhamudhit të Bllokut, ka shkruar një libër. Në një status timin në fb, i shpenguar, si në një status fb-je, unë shpreha me shkrim një përshtypje. E them prapë: përshtypje. Gazetat, rrjetet sociale atë status e shpërndanë pa ndonjë autorizim prej meje. Botuesi i librit të Doktorit të Adhamudhit të Bllokut më kthehet sot me në një goxha përgjigje.

Prej më shumë se pesëdhjetë vjetëve në këtë vend kam statusin e shkrimtarit. Dhe e kam me shumë nder. E kam që atëherë kur Henri Çili and Co… ishin ende matanë kësaj bote, në… AND-në e prindërve të tyre. Formalisht kam respekt për Çilin, kam respekt dhe për dr. Isuf Kalon. Deri më sot ishim secili në punë të vet. Nuk doja, nuk kisha pse të vihesha me ta përballë. Por … duhet të përgjigjem.

Shkrimtari për nga motivi i genit është dëshmitar. Ja… po dëshmoj:

Mora pjesë në promovimin e librit të dr. Isuf Kalos në hotel Rogner. Vapë e lemerisshme, kohë pushimesh, korrik. Jo klimë fort e përshtatshme për të botuar, për të promovuar një libër. Por Henri Çili, biznesmen me nuhatje tregu, mendon ndryshe. Ai nxiton ta publikojë, ta promovojë, t’i bëjë marketing librit për të joshur lexuesin e sezonit veror dhe atë turistik. Dhe… e shpall, e plas me bujë promovimin në hotel Rogner. Ngjarje… ngjarje në një kryeqytet bosh, pas zgjedhjeve, në një kryeqytet vape, pa ngjarje. Oooo ! Dr Isuf Kalo ka bërë libër… për Ne… për Enverin… për Bllokun. Oooo.. o burraaaa!

Ishin mbledhur aty në Rogner gjithë “buka e vjetër”, pra, gjithë rrethi i atyre që kanë përtypur jargë e thërrime nga sofra e ish-Bllokut.

Ja, po vjen dhe vetë dr. Sali Berisha, po… edhe çifti Berisha. Një qokë kjo e Berishës jo vetëm si e kolegut për kolegun dr. Kalo, por dhe se ata kanë qenë bashkë në një “varkë”, kanë shijuar flladet e valët e liqenit të kohërave bashkë me djemtë e zonjës së parë të Bllokut. Zoti Berisha… një veteran i zvenitur prej moshës, prej konsumimit të gjatë, së paku, duhet të ishte mënjanuar prej politikës, të vetmohej drejt e në shenjtninë e tij. Por ja, si hije e kohërave të shkuara e të perënduara dhe vetë zoti Berisha… na e nderon, doktorin e Adhamudhit të Bllokut. Ahh…ahh Moj kasolle (mor Rogner) ku na mblodhe..

Librin e prezanton biri i ish-nëndrejtorit të Institutit të Nexhmijes, prof F. Tarifa. Ky zotni Tarifa junor para ca javësh ka deklaruar në shtyp se është krenar për atin, Tarifën senjor-nëndrejtor në Bllok, që edhe sot e në këto ditë shkruan e boton në një gazetë shkrime glorifikuese për kryeministrin, udhëheqësin “tao tao”, për Adil Çarçanin. (Moj kasolle… ku na mblodhe).

Kjo është shija që ka botuesi, administratori i një universiteti, promovuesi i neoliberalizmit, gazetari, intelektuali, biznesmeni, i suksesshmi dhe i shumë etj, etj i rëndësishmi, zotëria e tij Henri Çili.

Është era e tij, është e drejta e tij ta ketë cilëndo shije.

Po unë? Ç’po më duhej mua këtu? Mua më vinte një erë aq e ndohtë, e ndohtë sikur lumin e Lanës ta kishin kthyer e ta kishin ndryrë, përhapur në mjediset luksi të hotel Rognerit.

Dola, u largova prej andej me të shpejtë.

Tani që fragmente nga libri “Blloku” janë në faqet e para të shtypit më me peshë në këtë vend, më vjen era e një shpifësire më të madhe sesa e asaj mbasditeje në Rogner. Jo lumi i Lanës, po gjirizet e Tiranës kanë shpërthyer sheshit dhe po rrëkëllehen në bulevardet dhe sheshet e Tiranës dhe në sheshet e të gjithë vendit. Fotot luksi të bllokmenëve, nuseve, bijve e mbesave të tyre i sheh në faqet e pra të gazetave. Nga dita në ditë.

Kjo m’i bie zorrët në grykë. Një idolatri e shfrenuar për zotat e dikurshëm komunistë. Kjo është pasoja e botimit të këtij libri të doktorit të Adhamudhit të Bllokut. Dhe e botuesit, e neoliberalit Henri Çili.

Nuk besoj se sot do të mbusheshin kështu faqet e para të gazetave me fotot e Egon Krenzit në Gjermani, me fotot e Brezhnjevit në Rusi, apo me fotot e bllokmenëve në Poloni, në Hungari.

Po pse te ne ndodh? Mos doktor Isuf Kaloja ka bërë një kryevepër e na ka bërë të gjithëve magji?

Jo, nuk është as libër për të qenë, as magji. Mos u hutoni. Shpjegimi është diku tjetër.

Shqipëria ka ndërgjegje të deformuar. Në zonat e vdekura të trurit të saj janë të gjallë zotat e vjetër.

Para disa javësh një deputet i mykur enverist skrapali u ngrit kundër Institutit të studimeve kundër komunizmit. Në krye të atyre që sulmonin ata që denonconin si kriminal komunizmin, ishte Fatos Tarifa dhe ati i tij. Ky fliste dhe në promovimin e Çilit. Ky rreth njerëzish që duan t’ia mbrojnë erzin komunizmit ishte atë ditë në Rogner, për të promovuar librin rehabilitues të Bllokut nga doktori i Adhamudhit të Palortosë.

Deputeti i mykur skrapali dhe neoliberali Henri Çili janë në një vijë. Por secili për hesap të tij. Të cilit hesap? Ka vetëm një luftë, vetëm një motiv… madhor. Lufta e paskrupullt për para e për pushtet.

Ndaj Blloku është i gjallë ende. Jo vetëm në nëndërgjegje. Në realitet. Ne ende po qeverisemi prej tij. Këta që kemi në krye sot janë kopja e ish-bllokut. Jo origjinalet. Henri Çili guxon e boton origjinalet e bllokut, etërit e hijeve që i kemi sot në qeveri

Shumë nga personazhet e elitës së Shqipërisë së sotme ngjajnë me atë fshatarin nga Labinoti (nga është Henri Cili), fshatar që në bodrumin me kashtë kishte fshehur statujën e Enver Hoxhës.

Ne qeverisemi nga filozofia e old scholl: luftë e pamëshirë shfarosëse politike, luftë vrastare për privilelegje, për pushtet, për xhepin e bllokmenëve… për dje sot e në seri.

Ne ecim përpara, përpara gjithmonë… përpara me Bllokun e Ri. Me Enin, me Çilin, me Fevzon etj…me infrastrukturën e superstrukturën në seri.

Herë pas here duhet t’i vadisim me lule e me lajle e me lavde idhujt e vjetër, duhet t’u blatojmë dafina kufomave të kalbura në morgun e historisë.

Ky është mision i vazhdimësisë, i mirënjohjes së brezave, i mosmbetjes pa emër, pa histori.

Veç se mision, ky është biznes. Elitat universitare, letrare, mediale duhet të jenë gjithmonë pranë tepsisë së bllokmenëve të rinj. Ta zgjasin të parat dorën në sini/tepsi.

Kështu doktorët e Adhamudhëve të vjetër, Isuf Kalot, e shkëmbejnë përvojën me dishepujt e sotëm neoliberalë, me ujqit në moshë e në modë më të rinj.

Unë jam shkrimtari. Pesimisti. Pa të ardhme. Pa të sotme. Pa histori. Vetëm dëshmoj.