Ivanovit i ka ngelë hatri nga BDI dhe PDSH

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës”, në sheshin Maqedoni u mbajt meshë me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Meshën e udhëhoqi kardinali i posaçëm i Papës, kryepeshkopi i Sarajevës, kardinali Vinko Puliq. Mesha e sotme në sheshin e qytetit ishte manifestim qendror i festimit “Ditët e Nënë Terezës” që zgjati shtatë ditë. në këtë manifestim fjalë rasti kishte edhe presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov. Në një pjesë të fjalimit të tij, Ivanov foli edhe për krizën politike. Ai tha se Nënë Tereza nuk do kishte dashur të shohë politikanë dhe qytetarë të përçarë. Presidenti Ivanov kritikoi edhe liderët e BDI-së dhe PDSH-së, për mospjesëmarrjen në shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan, edhe pse ata ishin ftuar, transmeton Fakte.

“Duke na parë politikisht të ndarë dhe të përçarë, ajo do kishte kërkuar nga ne të mos ndahemi dhe zihemi, por të falim, të pajtohemi dhe të respektohemi. Shenjtërimi i saj ishte mundësi për një hap të tillë. Liderët e dy partive më të mëdha në bllokun Maqedonas e pranuan ftesën time dhe erdhën në Vatikan. Për fat të keq, liderët e dy partive më të mëdha shqiptare nuk ia dolën të ngritin veten mbi tensionet dhe mosmarrëveshjet politike ditore. Duke parë sesa lehtë kryqin dhe gjysmë hënën, kishën dhe xhaminë i shndërrojmë në kufij dhe kështjella për kërkimin e territoreve, ajo do na kishte kujtuar se feja është dashuri në aksion”, tha President i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov./