25 Shkurt 2019 / 15:37
Mungesa e kuadrit dhe burimet e dobëta në Sekretariatin e Anti- korrupsionit pengojnë procesin e zbardhjes të rasteve të nepotizmit. Ky është arsyetimi kryesor i përbërjes së re anti- korrupsion në pyetjet- “Përse procesi po zvarritet dhe cili është shkaku që deri më tani nuk ka asnjë hetim për zyrtarë, familjarët e të cilëve fituan punë shtetërore”. Kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanovska nuk kishte informacion nëse kërkesat për mënyrën e punësimeve në ELEM kanë arritur deri tek kompania shtetërore.
Në këtë rast nuk punojmë për person të caktuar, por për atë se si ka funksionuar sistemi i punësimeve. Synimi jonë është që të përmirësojmë sistemin e punësimeve, pa marrë parasysh kush paraqitet në një konkurs të caktuar – deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK.
Nga kompania ELEM për Alsat shprehen se deri tek drejtoria në Shkup të premten pasdite u kanë arritur tre kërkesa nga Anti- korrupsioni. Ndryshe, Komisioni për pengimin e korrupsionit do të hetojë se si janë punësuar Besijana Xhaferi, e bija e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, Viktor Stojçevski, i biri i Mira Stojçevskës, deputete e LSDM-së dhe Lubislav Nestorovski, i biri i Magdalena Nestorovskës, sekretare shtetërore në Ministrinë e brendshme nga radhët e LSDM-së.
Kryeministri Zoran Zaev disa herë i paralajmëroi kolegët që familjarët e zyrtarëve të heqin dorë nga vendet e punës. Megjithatë, Zaev shton se nuk ka asgjë kontestuese që të afërmit e zyrtarëve të punësohen në vend, por se kjo duhet të jetë në mënyrë të ndershme dhe transparente.
Nëse kjo bëhet e fuqishme, ndërsa ndjenja është e hidhur kur reagojnë qytetarët, atëherë duhet të ndalemi dhe të bëjmë një hap mbrapa dhe të korrigjohemi. Pres që këtë ta bëjnë të gjithë – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.
Përveç për zyrtarët aktual, Komisioni anti- korrupsion do t’i shqyrtojë edhe konkurset për punësime nëpër kompanitë dhe institucionet shtetërore prej para katër viteve deri më sot. Me kërkesë të tillë para disa ditëve doli edhe ministri i administratës, Damjan Mançevski, i cili paraprakisht deklaroi se derisa kanë qenë në opozitë, anëtarë të LSDM-së nuk kanë mundur të punësohen, si në kompani shtetërore ashtu edhe në ato private. Megjithatë, nëse vërtetohet se ndonjë zyrtar ka ndikuar në vendimin që familjar i tij të marrë punë në ombrellën e shtetit, kryeministri Zaev paralajmëroi se i njëjti nuk do të kalojë pa u dënuar apo pa përgjegjësi.
Ile Petrevski
Loading…