Sekretari shtetëror i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jahi Jahiu ka bërë ankesë për heqjen e masës së paraburgimit për tu mbrojtur në liri. Avokati i tij ka theksuar për TV24 se nuk dëshiron të komentoj hetimet por që pret që Jahiu të lirohet nga burgu i Shutkës dhe të mbrohet në liri.
Nga Gjykata Penale thonë se masa e parab*urgimit është caktuar për shkak të rrezikut për ar*ratisje dhe përsëritje të veprës penale.
Ndryshe për shkak të marrjes së ryshfetit prej 38 mijë eurove policia mëngjesin e ditës së hënë kishte arrestuar Jahiun.
Prokuroria dhe MPB-ja dyshojnë se Jahiu bashkë me një punonjës tjetër në këtë dikaster kanë marrë para dhe kanë favorizuar kompaninë “Latanzio” e cila e ka fituar tenderin për të realizuar një projekt të financuar me IPA fonde në vlerë prej më shumë se 1 milion euro për koordinimin e trajnimeve në administratën publike.
Jahi Jahiu dhe një koleg i tij tre herë kanë udhëtar jashtë vendit. Kompania italiane i ka mbuluar shpenzimet në vlerë prej 7 mijë eurove. Në këmbim të dyshuarit e kanë informuar kompaninë për procedurat e tenderit. Ata kanë mundësuar pozitë të favorizuar për kompaninë italiane për shërbime këshillëdhënëse “Latanzio” në garën për mbi 1 milionë euro para evropiane.
Paratë e ryshfetit për Jahiun dhe kolegun e tij në vend janë sjellë tre herë në shuma të gatshme. Italiani me iniciale M.XH i ngarkuar për marrëdhënie me publikun në kompaninë “Latanzio” i ka dorëzuar paratë. Organet e hetuesisë në vend hetimin e kanë zhvilluar në koordinim me prokurorinë e Milanos nga Italia.
Dyshimet për korrupsion gjatë shpërndarjes së parave evropiane kanë zgjatur dy muaj. Janë përfshirë edhe organizata ndërkombëtare. Hetimi është iniciuar nga OLAF- Shërbimi evropian për parandalimin e mashtrimeve.
Në njoftimin e përbashkët të policisë dhe prokurorisë kujtojnë se Jahi Jahiu në vitin 2005 është ndjekur penalisht edhe për mashtrime zgjedhore, por në vitin 2006 vepra është rikualifikuar dhe Jahiu u dënua vetëm me para. Ndryshe Jahi Jahiu që nga viti 2011 si kuadër i BDI-së e kryen detyrën e sekretarit shtetëror në Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë.