Javën që vjen fillon debati rreth amendamenteve të ligjit për media

Javën që vjen fillon debati rreth amendamenteve të ligjit për media

Javën e ardhshme fillon debati për amendamentet e partive politike për ligjin për media, i cili është në lexim të dytë në komisionin amë për Transport dhe Lidhje.

VMRO-DPMNE përmes 63 amendamenteve të parashtruara, kryesisht kërkon që të mos ndryshohet përbërja aktuale e Këshillit Programor të RTVM-së dhe Agjencisë për shërbime Audio dhe Audiovizuele.

Sipas VMRO-së, ndryshimet në këto këshilla, nuk bëhen për të emëruar profesionistë, por që këshillat e rinj të mund të shkarkojnë drejtuesit aktualë të përzgjedhur në konkurset e fundit. Gjithsesi VMRO do të votonte pro emërimeve të reja në këshillat programorë, në momentet kur anëtarëve të vjetër do ju skadojë mandati.

“Ne vlerësojmë se propozim ligjin për media nuk sjellë asgjë të re, përveç se mundëson që përmes miratimit të tij , të ndryshohet përbërja aktuale e Këshillit Programor i RTVM-së dhe këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele, që më pas , përbërja e re e këshillave në fjalë, të mund të shkarkojë drejtorët aktualë të këtyre dy institucioneve që janë zgjedhur në mandat dhe procedurë ligjore. Për ne kjo është absurde dhe e pakuptueshme”, shprehet Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.

11 Amendamente ka parashtruar edhe grupi parlamentar i LSDM-së. Përmes ndërhyrjeve në tekstin aktual të propozim ligjit, LSDM synon të arrijë procedura me transparente dhe llogaridhënëse në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave mbikëqyrës në këto institucione.

Partia maqedonase në pushtet është e bindur se ligji i ri do të sigurojë pavarësi dhe profesionalizëm më të madh në servisin publik dhe agjencinë e mediave.

“Qëllimi i miratimit të ligjit të ri për media si dhe ligjeve tjera që i miratojmë në Kuvend është që ato të jenë funksionale dhe të implementohen në praktikë. Ditëve të fundit dëgjuam nga përfaqësues të lartë KE-së në Shkup se nuk mjafton veç të kemi rregullativën ligjore por ajo duhet të implementohet, me qëllim të reformimit për gjithë atë gjëra që ka pasur vërejtje në raportin ndërkombëtare dhe vërejtjet e opinionit në vend.. Për herë të parë parashihet që këto dy trupa Rregullorë të fitojnë një procedurë më transparente dhe më llogaridhënëse gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të tyre, që njëherit do të garantojnë se në punën e këtyre dy institucioneve, nuk do të ketë ndërhyrje nga askush”, shprehet Frosina Remenski nga LSDM.

Grupi parlamentar i BDI-së, përmes amendamanteve të parashruara për propoizm ligjin në fjalë kërkon që përveç dy të tretat e votave të deputetëve, emrimi i antarëve të rinj të bëhet edhe përmes zbatimit të parimit të Badenterit, përmes të cilit do të bëhej filtrimi më i detajuar i kandidatëve në këto vende.

“Ne kemi propozuar 2 amendamente ku parashihet përveç votimit të dy të tretat e votave anëtarët e rinj të votohen me parimit të Badenterit, do të thotë me shumicën e votave të deputetëve të bashkësive tjera etnike. Do të thotë edhe anëtarët e agjencisë dhe për Shërbime Audio dhe audiovizuele dhe të këshillit programor të RTVM-së parashikohet të bëhet me dy të tretat e votave dhe me Badenter”, theksoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.

Për propozim ligjin për media ka pasur edhe debate publike me përfaqësuesit e mediave dhe të shoqatave të gazetarëve.

Nevoja për një ligj të ri për mediat doli si rezultat i marrëveshjes së arritur politike mes pushtetit dhe opozitës së atëhershme në Përzhinë.