Jürgen Habermas mbi krizën e koronavirusit: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”

Jürgen Habermas mbi krizën e koronavirusit: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”

Filozofi më i madh gjerman Jürgen Habermas flet për koronën, botën e shqetësuar dhe domosdoshmërinë që shteti të shpëtojë çdo jetë.

Jürgen Habermas, i lindur më 18 qershor 1929 në Düsseldorf, i rritur në Gummersbach, ka ligjëruar në Universitetin e Frankfurtit dhe jeton në Starnberg të Bavarisë. Në veprat e tij ai e ka zhvilluar më tutje Teorinë Kritike të Karl Marxit, duke e rrumbullakuar me një arsyetim të shtetit demokratik ligjor. Në një intervistë me gazetën “Frankfurter Rundschau” Jürgen Habermas ka folur edhe mbi krizën e koronës. Në vijim disa nga mendimet e 90-vjeçarit Jürgen Habermas.

1. Si e përjeton filozofi personalisht krizën e koronës?
Habermas: “Mund vetëm të them se çfarë më sillet nëpër kokë këto ditë. Siç dihet shoqëritë tona komplekse vazhdimisht përballen me pasiguri të mëdha, por ato shfaqen në nivel lokal dhe jo njëkohësisht dhe pak a shumë trajtohen padukshëm nga ekspertët kompetentë në njërin apo tjetrin sistem të pjesshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër tani po përhapet në nivel global dhe njëkohësisht një pasiguri ekzistenciale dhe kjo po ndodh edhe në kokat e njerëzve të ndërlidhur përmes mediave”.

2. Pasojat e paparashikueshme
Habermas thotë se çdo individ po informohet mbi rreziqet e pandemisë, duke u këshilluar që të vetëizolohet, sepse vetëizolimi është variabla e vetme e rëndësishme përballë sistemeve shëndetësore të mbingarkuara. Pasiguria, sipas Habermasit, buron jo vetëm sa i përket ballafaqimit me rreziqet epidemike, por edhe nga pasojat e paparashikueshme ekonomike dhe sociale. Andaj, sipas tij, për dallim nga virusi, lidhur me pasojat ekonomike dhe sociale nuk ka ekspert që mund të bëjë vlerësim të sigurt. Rrjedhimisht ekspertët e ekonomisë dhe ata të çështjeve sociale do të duhej të jenë të rezervuar me parashikime të pakujdesshme. “Një gjë mund të thuhet: Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”, tha Habermas.

3. Mbi shpëtimin e çdo jete
Jürgen Habermas mendon se në disa shtete po shihen politikanë që po kanë vështirësi në aplikimin e një strategjie, e cila i jep përparësi absolute shpëtimit të çdo jete njeriu, sepse në përllogaritjet utilitariste po merren me pasojat e padëshirueshme ekonomike. Po qe se shteti e lë epideminë të shtrihet pa pengesë në mënyrë që sa më shpejt të arrihet një imunitet i mbarë popullsisë, atëherë ai merr mbi vete rrezikun e shmangshëm të kolapsimit të parashikueshëm të sistemit shëndetësor dhe vdekjen e një pjese të madhe të njerëzve.