Iniciohet ngritje e kallëzimit penal ndaj drejtorit të NP Gostivar, pas denoncimit në polici se ka kërcënuar me jetë organizatorin e protestave kundër Rusinos. Siç mëson Alsat, pas denoncimit në polici nga organizatori i protestave se i njëjti ka qenë i kërcënuar, SPB Gostivar, ka informuar prokurorinë e Gostivarit, e cila ka hapur lëndë dhe po heton rastin.
Drejtori i ndërmarrjes ka mohuar të ketë bërë ndonjë kërcënim. Ai madje thotë se ka përkrahur këto protesta.
Ne nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre që t’i ndërpresim mos protestojnë një grup qytetarësh, përkundrazi ne i kemi përkrah. Por, ma merr mendja se dikush do të faktorizohet duke përmendur emra të personave që mbajnë funksione publike”-tha Isak Lazami Drejtor i NPK Gostivari.
Protestuesit e nismës “Stop Rusinos” që prej ditësh bllokojnë hyrjen e deponisë, kanë vendosur tenda për të qëndruar aty edhe gjatë natës. Këmbëngulin se nuk largohen që aty pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Sot ua dhamë kërkesat dhe presim përgjigjen e tyre, nëse na plotësojnë kërkesat do i lëshojmë menjëherë maunet e Gostivarit, në të kundërtën do vazhdojmë me bllokimin e rrugës dhe protestat. Kërkesat tona janë shuarja e zjarrit dhe shtypja e shpeshtë e dheut, sa më shpejtë të gjendet zgjidhja për mbylljen e Rusinos, dhe të vendoset video mbikëqyrje”-pohoi Deso Mateski, drejtues i nismës “Stop Rusino” .
Nga ana tejtër, kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari që javë më parë përkrahte protestat, tani ka ndryshuar mendim.
Ky është aktivitet që ne e kemi përkrah se është problem i Gostivarit deponia Rusino, dhe ajo që ne si pushtet lokal kemi qenë të bllokuar nga pushteti qendror vazhdimisht këto tre vite dhe nuk kemi mundur të marrim hapa konkret sepse kompetencat u morën nga pushteti qendror, por kur vërejtëm se njeriu është i paguar dhe pas tij qëndron një parti politike dhe në Gostivar dihet kush qëndron pas tij. Shkoni me kamera dhe shihni pyetni dhe do ju tregojnë, cilët aktivist të cilës parti janë, konkretisht të BDI-së janë”-tha Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit .
Ndërmarrja Publike Komunale, ka kërkuar asistencën e policisë për të larguar protestuesit në mënyrë që të vazhdojë hedhja e mbeturinave.