“Kam dashur t’i jap fund jetës”, gruaja rrëfen dhunën e ish- burrit

“Kam dashur t’i jap fund jetës”, gruaja rrëfen dhunën e ish- burrit

Dhuna në familje vijon të një jetë një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare.

E tillë është edhe rasti i Elisabeta Picarit nga periferia e Tiranës. Edhe pse ajo u divorcua nga ish-burri i saj përsëri, kalvari i vuajtjeve nuk ka mbaruar.

Elisabeta Picari është një grua e dhunuar sistematikisht nga ish-bashkëshorti, por nuk ka dashur që problemi saj të dalë jashtë katër mureve të shtëpisë. Nëna e dy fëmijëve jeton me qira në zonën e Vorës në Tiranë, ndërsa u divorcua 10 vite më parë për shkak të abuzimit fizik të ish-burrit.

Elisabeta Picari, Denoncuese: “Të them të drejtën unë kam dash me i dhënë jetës fund, dhe kështu nuk kalohet jeta me dy fëmijë rrugëve. Donte lekë të pinte, të punoja unë, të mbaja dru në krah, arsye që kam pirë dhe sulfat groshe.

Një fëmijë më ka vdek, sado e kam denoncuar, Policia e ka shtru, por prapë kam vuajtur dhe prapë më ka rraf”.

Problemet nuk do të mbylleshin për Elisabetën vetëm me divorcin. Ajo iu drejtua përsëri gjykatës së Tiranës, pasi ish-bashkëshorti i dhunon fëmijët nga që nuk do të paguaj detyrimet mujore për ta.

Elisabeta Picari, Denoncuese: “Ka ndenj në burg 3 muaj nëbur prapë i njëjti avaz. Nuk e kam prit që do godiste dhe fëmijën e vogël. Dua të më lërë të qetë. I bëj thirrje shtetit për një ndërtesë për këta fëmijë mos të jem rrugëve”.

Më herët edhe pse e ka denoncuar dhunën, përsëri kryefamijarja e ka tërhequr kallëzimin e bërë në komisariat për ish- burrin.

Elisabeta Picari, Denoncuese: “Denoncimin e kam tërheq se thashë se do më lërë të qetë e do paguajë fëmijët, por nuk e bëri atë gjest dhe nuk i pagoi asnjëherë. Rroga ime nuk më del as për qiranë e as për shkollën e fëmijvëe, me zor, me zor me ble vetëm një copë bukë”.

Ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave të dhunuara që denoncojnë dhunën ka ardhur në rritje jo vetëm në kryeqytet por në të gjithë vendin.

Sipas Psikologes së policisë së Tiranës Besmira Muçaj, e cila asiston nga afër çdo situatë dhune në familje, fëmijët e përjetojnë më keq tensionet e prindërve të tyre.

Bismira Muçaj, Psikologia e Policisë së Tiranës: “Policia e Tiranës në bashkëpunimin me komisariatet ka organizuar dhoma intervistimi të posaçme, ku në fokus ngelin viktima të dhunës në familje, përpos personave adultë që mund të jenë vajza, gra ose burra”.

Në dy komisariate janë krijuar kushtet për të intervistuar në privatësi, jo vetëm fëmijët e dhunuar, por edhe të abuzuar seksualisht.

Bismira Muçaj, Psikologia e Policisë së Tiranës: “Në komisariatin 5 në Kamëz dhe 6 në Kombinat, ndarja e sekretit personal nuk mund të dëgjohet nga të gjithë që janë aktorë bashkëpunues në Policinë e Tiranës”.

Gjatë 6-muajve të parë të 2019 janë denoncuar në policinë e Tiranës për dhunën në familje 225 raste. Për viktimat janë lëshuar urdhër i mënjëhershëm i mbrojtjes, ndërsa për shkaktarët e dhunës në familje ku pjesa më e madhe ishin burra, gjyakta ka caktuar masën e sigurisë atë të “arrestit në burg”. /ABC News