Kancelari austriak, pas takimit me Trump: Nëse Kosova dhe Serbia pajtohen, ne dhe Amerika nuk duhet të jemi pengues – qoftë edhe për shkëmbim të territoreve

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump, kanë folur edhe për Kosovën.

Siç shkruan agjencia austriake e lajmeve APA, përcjell Telegrafi, Kurz ka folur me presidentin Trump edhe rreth dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Austria ka kërkuar më shumë përfshirje nga Uashingtoni.

“Në Kosovë, SHBA ka një pozicion shumë të fortë që ata mund të përdorin pozitivisht”, citohet të ketë thënë kancelari.

Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar se Austria e sheh dialogun midis presidentëve Hashim Thaçi (Kosovë) si dhe Aleksandar Vuçiq (Serbi) si shumë pozitiv dhe do të “mbështesë gjithashtu një shkëmbim territori”, edhe pse kjo do të mund të ishte një “çështje e ndjeshme”.

“Nëse të dy vendet pajtohen për diçka, ne evropianët nuk duhet të jemi pengues, edhe amerikanët gjithashtu”, citohet të ketë thënë tutje Kurz.

Siç shkruan mediumi austriak, kancelari ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga një delegacion veçanërisht i fortë i SHBA-së.

Aty siç bëhet e ditur ishin të pranishëm, përveç zëvendëspresidentit Mike Pence, edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Sekretari i Energjisë Rick Perry, Shefi i Shtabit të Trump, Mick Mulvaney, Këshilltari i Sigurisë John Bolton, Këshilltari Ekonomik Larry Kudlow dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, të cilët i janë bashkuar atyre pas bisedës 20-minutëshe “në katër sy”. /Telegrafi/

TAGS