Kanceri i zorrës së trashë, rëndësia e parandalimit

Kanceri i zorrës së trashë, rëndësia e parandalimit

Dhimbja e barkut, humbja e oreksit, dobësi dhe humbje pa shkak të peshës, gjak në jashtëqitje janë shenjat e para të kancerit kolorektal. Gjatë rrugëtimit nëpër organet tretëse (goja, lukthi, zorra e hollë) ushqimi gjithnjë e më tepër do të grimcohet. Mbetjet ushqimore përfundojnë së fundmi në zorrën e trashë. Atje ato do të ngjeshen dhe do të transportohen në drejtim të daljes nga zorra. Në segmentin e fundit të zorrës së trashë, feçet do të depozitohen derisa më në fund do të nxirren jashtë përmes anusit (daljes nga zorra). Kanceri i zorrës së trashë krijohet nga qeliza e mukozës, e cila vesh zorrën e trashë nga brenda. I prekur nga kanceri më së shpeshti është segmenti i fundit i zorrës së trashë, rektumi. Nocionet “kancer i zorrëve” ose “kancer i zorrës së trashë” përdoren për të njëjtën sëmundje. Kjo, për shkak se sëmundjet kanceroze në segmente të tjera të zorrës (zorra e hollë, anusi) paraqiten shumë rrallë, përderisa kanceri i zorrës së trashë u përket llojeve më të shpeshta të kancerit. Kanceri është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.





Simptomat kryesore
Shpesh kanceri i zorrëve për një kohë të gjatë nuk shkakton simptoma. Kancerin e zorrëve mund ta sinjalizojnë shqetësimet në vijim: Gjaku në fekale (ngjyrim i kuq ose i zi i feçeve); problemet gjatë jashtëqitjes, si presioni për jashtëqitje, pa qenë nevoja për një gjë të tillë; dhimbjet e reja, të papritura, të barkut; ndryshimi i shprehive të “daljes jashtë”, si alternime të diarresë dhe konstipacionit, jashtëqitjes së hollë sa një laps, ngërçeve gjatë jashtëqitjes ose mbufatjeve të forta pa ua ditur shkaktarin, humbja e padëshirueshme e peshës. Jashtëqitja e shpeshtë është simptoma tipike e kancerit kolorektal. Përveç tyre, edhe dhimbja e barkut, humbje e oreksit, dobësi dhe humbje pa shkak të peshës, gjak në jashtëqitjen janë shenjat e para të kancerit kolorektal. Përveç kësaj, mund të shfaqet anemi e pashpjegueshme ose humbje e konsiderueshme peshe. Për arsye të mungesës së të kuptuarit në kohë të kancerit kolorektal, aktualisht shumica e pacientëve që marrin mjekim janë me kancer të avancuar kolorektal. Në kancerin e hershëm të zorrës shpesh nuk ka simptoma, pasi zbulohen gjak dhe qelb në jashtëqitje, sëmundja ka përparuar. Është e rëndësishme që pacientët të bëjnë kontrolle të rregullta shëndetësore. Studimet kanë treguar se regjistrimi asimptomatik tek ata pa simptoma është e vetmja mënyrë për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë. Gjakderdhja nuk mund të shërbejë si bazë gjykimi i kancerit kolorektal. Për zbulimin e kancerit kolorektal duhen marrë parasysh të gjitha pasojat. Për arsye se sëmundja e kancerit kolorektal ka lidhje të drejtpërdrejtë me stilin e jetës, duhet që për të parandaluar që në fazat e para, të kemi një jetë të rregullt.

Diagnostikimi
Ekzaminimi më i rëndësishëm për diagnozën e kancerit në zorrë është kolonoskopia (imazhi vizual i zorrëve). Me këtë rast do të futet një instrument (endoskopi) përmes anusit drejt zorrës. Zorra do të mund të vëzhgohet nga brenda ekzaktësisht përmes një kamere, ndërsa me ndihmën e instrumenteve specialë do të hiqen (shkëputen) inde për provë. Më vonë këto do të kontrollohen në laborator për prani të qelizave kanceroze. Për të konstatuar se sa larg mund të ketë shkuar tumori në përhapjen e tij, sipas rrethanash do të realizohen dhe ekzaminime të tjera imazherike.

Stadet e sëmundjes
Klasifikimi i stadeve mbështetet në sistemin ndërkombëtar TNM. Me këtë rast gjykohet mbi zgjerimin e tumorit(T), invadimin e nyjave limfatike (N) dhe eventualisht metastazat e pranishme (M). Kanceri i zorrëve klasifikohet si në vijim: T0 S’ka prezencë tumori; T1 Tumori është i kufizuar në shtresën më të brendshme të murit të zorrës; T2 Tumori është përhapur deri në shtresën muskulore të murit të zorrës;T3 Tumori është përhapur nëpër të gjitha shtresat e murit të zorrës; T4 Tumori ka depërtuar në indet fqinje; Tx Përhapja e tumorit nuk mund të gjykohet; N0 Nuk ka nyja limfatike të invaduara; N1 Tumori ka invaduar një deri tre nyja fqinje limfatike; N2 Tumori ka invaduar katër ose më shumë nyja fqinje limfatike; Nx Për invadimin e nyjave limfatike nuk mund të gjykohet; M0 Nuk ka metastaza; M1 Metastaza në organe të tjera, për shembull në mëlçi ose mushkëri; Mx Prania e metastazave nuk mund të gjykohet

Trajtimi dhe pasojat
Metoda e trajtimit që do të vihet në veprim varet mes të tjerash se sa ka përparuar tashmë tumori. Kurdo që të jetë e mundur kanceri i zorrës do të hiqet operativisht. Në qoftë se tumori është në një stad shumë të hershëm, pas ndërhyrjes terapia do të jetë e përfunduar. Tek kanceri i zorrës në stade më të përparuara janë të domosdoshme terapi të tjera. Shpeshherë tumori qysh përpara operacionit do të rrezatohet dhe/ose do të trajtohet me kimioterapi. Me këtë masë synohet zvogëlimi i tumorit, me qëllim që shpresat për suksesin e operacionit të rriten. Një mundësi tjetër trajtimi është një kimioterapi pas përfundimit të operacionit. Në rast se tumori ka krijuar tashmë metastaza, ekzistojnë mundësi të tjera terapeutike p.sh. një terapi e kombinuar rrezatimesh dhe kimioterapie ose një trajtim me medikamente moderne. Një terapi medikamentoze mund të zbusë shqetësimet dhe të zgjasë kohën e mbetur për të jetuar. Disa nga metastazat , sidomos metastazat e mëlçive , mund të reduktohen, madje edhe të hiqen operativisht ose me procedura speciale. Në rastin e operacionit të kancerit të zorrës tek shumica e pacientëve edhe sot e kësaj dite është e mundur që të ruhet e paprekur porta e natyrshme dalëse e zorrëve, pa qenë nevoja që të vendoset një portë artificiale e përhershme . Po qe se tumori është shumë afër derdhjes së zorrës , e gjithë dalja e zorrëve bashkë me muskulin në vazhdim duhen hequr dhe duhet vendosur një stomë. Përmes një të çare në murin e barkut do të tërhiqet fundi i zorrës përjashta dhe do të qepet në murin e barkut. Pas operacionit feçet do të zbrazen përmes stomës në një qese speciale, që do të fiksohet sipër lëkurës së barkut. Bërja e natyrshme e nevojës tashmë është e pamundur. Pas përfundimit të trajtimit të kancerit, pacientët duhet ta vizitojnë rregullisht mjekun për kontrollime në kuadër të përkujdesjes shëndetësore të mëpasshme. Ai do t’i japë secilit pacient rekomandime individuale se cilat kontrollime në cilin hark kohor janë të domosdoshme.

Faktorët e riskut
Disa njerëz kanë një risk të shtuar, të kushtëzuar nga vetja ose nga rrethanat familjare, për t’u prekur nga kanceri i zorrës. Situatat rrezikuese janë: sëmundjet inflamatore kronike të zorrëve, sëmundje të caktuara të trashëgueshme, në të cilat shfaqen në masë të madhe adenoidet mukozale në zorrë, sëmundjet kanceroze të zorrëve te më të afërmit, para së gjithash, nëse tumori është shfaqur përpara moshës 50-vjeçare. Vlerësohet se rreth 10-15 % të të gjitha sëmundjeve kanceroze shpjegohen përmes një predispozite trashëgimore, polipe të shfaqur në zorrë më herët. Faktorë që shtojnë rrezikun nga kanceri i zorrëve: mungesa e lëvizjes, mbipesha, ushqimi i pashëndetshëm, duhanpirja. Një stil i shëndoshë jetese mund të ulë rrezikun për një sëmundje të kancerit të zorrës: lëvizja e mjaftueshme, pa mbipeshë, ushqimi i baraspeshuar me shumë fruta, perime, sallata dhe lëndë fibrike, pak yndyrë dhe pak mish të kuq, pa duhanpirje. Për të sqaruar se kur dhe në cilin hark kohor janë të arsyeshme masat për zbulimin e hershëm, duhet këshilluar mjeku familjar.

TAGS