Kastrati: Kosova është në formë, do ta mposhtim Maqedoninë!

Kastrati: Kosova është në formë, do ta mposhtim Maqedoninë!

Sulmuesi i kombëtare së Kosovës, Flamur Kastrati, që luan për ekipin norvegjez Kristiansund BK, është në formën më të mirë! Dëshmia më e mirë është loja e tij brilante me 14 shkurt kur realizoi het-trik për Kristiansund BK dhe në miqësore e mposhtën me rezultat 3:1 Rosenborgun.

Kastrati tregoi angazhim të madh, ka qenë i pandalshëm për mbrojtjen e skuadrës së njohur norvegjeze. 28-vjeçari është i lumtur për lojën e tij, të skuadrës dhe për tre gola që realizoi, njëherësh ka folur edhe për Kosovën.

Ai beson e shpreson se ky vit do të jetë i tij në kampionatin norvegjez.  Futbollisti është optimist se do të arrijnë rezultate edhe më të mira se në kampionatin paraprak (Superligë) kur përfunduan në pozitën e gjashtë me 41 pikë të tubuara.      

“Bota sot”: Me 14 shkurt keni shënuar het-trik për Kristiansund BK, a mendoni se ky vit do të jetë edhe më i mirë se vitet tjera për ju?
Flamur Kastrati:
Besoj që ky vit ka me shkuar mirë dhe do të arrijmë rezultate të mira. Kam bërë stërvitje pandërprerë gjatë pushimit dhe e kam ruajtur formën, ku kjo po reflektohet aktualisht! 

“Bota sot”: Çfarë ju veçojë në miqësore me Rosenborgun?
Flamur Kastrati
: Një rezultat 3:1 kundër Rosenborgut është shumë i mirë. Me këtë rezultat tregojmë që jemi në rrugë të mirë për sezonin 2020! Bëmë lojë të mirë dhe si fryt i kësaj edhe triumfuam. 

“Bota sot”: Kristiansund BK ka pas një edicion të mirë në vitin e kaluar, cilat janë synimet për edicionin e ri?
Flamur Kastrati:
Viti 2019 ka qenë vit i mirë për Kristiansund! Si çdo ekip kemi synim mu përmirësuar edhe më shumë gjatë këtij viti! Me stabilitet dhe me vullnet e lojë të mirë besoj që ka me qenë vit i mbarë!

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet në Kristiansund BK?
Flamur Kastrati
: Kushtet janë të mira, kam edhe një vit kontratë dhe ta shohim çfarë do të bëhet!

“Bota sot” Si e sheh kombëtaren e Kosovës me 26 mars kundër Maqedonisë, sfidë e vlefshme e gjysmëfinales së play-off-it të Ligës së Kombeve, në luftë për të siguruar një vend në Kampionatin Evropian 2020?
Flamur Kastrati:
Jam i bindur se Kosova ka me fitu! I kemi lojtarët në formë. Kemi tifozët “Dardanët” si lojtarin e 12-të dhe së bashku do të fitojmë lojën!

“Bota sot”: A mendoni se në kampionatin norvegjez do të jetë garë e ashpër për katër vendet e para dhe mes cilave skuadrave?
Flamur Kastrati:
Është një garë shumë e ashpër për vendin 1-2-3, ekip që ka më së shumti stabilitet ka me tregu rezultate të mira!

MEDIAL.mk