Katër persona arrestohen për falsifikim dokumentesh

Katër persona arrestohen për falsifikim dokumentesh

Policia ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara , kundrejt fitimit.

Në pranga ra organizatori i grupit, i cili siguronte karta italiane të falsifikuara dhe kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, mundësonte kalimin për në vendet e BE-së, me destinacion final Anglinë.

Po kështu, u arrestuan edhe 3 shtetas të tjerë për falsifikim të dokumenteve, që i kishte marrë përsipër organizatori i grupit. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

“B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’ (organizator) A.C.,19 vjeç, banues në Koplik, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’, (këtij shtetasi iu gjetën në çantë kartat e identitetit italiane dhe kartat e shëndetit italiane të falsifikuara); L., 25 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’; A., 30 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë dhe 4 me destinacion Lubjanë – Paris’, njofton policia.