Këngëtari Kozma Dushi: Muzika sot shikohet, artistët e vërtetë janë të varfër

Këngëtari Kozma Dushi: Muzika sot shikohet, artistët e vërtetë janë të varfër

Jala njihet nga të gjithë si vendi ku festojnë kryesisht të rinjtë, por kjo nuk mban larg kësaj perle të bregdetit këngëtarë, si Kozma Dushi dhe Liljana Kondakçi.

Përveç si pjesëmarrës në një eveniment artistik, ata ndaluan në emisionin “Pushime on Top” ku rrëfyen për karrierën, aktivitete e verës si edhe komentuan këngëtarët e rinj në krahasim me ata të plejadës së vjetër.

“Është shumë e vështirë për një këngëtar si unë apo Liljana të realizojnë një videoklip sot. Biznesmenë apo njerëz të tjerë, nuk japin para. Ndërkohë që për ndonjë nga ata që quhen këngëtarë sot paguajnë deri në 20.000 euro për një natë”.

“Sot është shumë e vështirë për ne të gjesh 5.000 euro për një videoklip. Ka biznesmenë të mirë, por është shumë e vështirë të takohesh me ta. Kur i thua një biznesmeni që kushton 3.000 euro një videoklip, thotë merri 50.000 lekë të vjetra”, është shprehur i revoltuar me këtë realitet Dushi.

Ndërsa duke komentuar brezin e artistëve të vjetër apo ata që janë profesionistë, ka thënë se janë shumë të varfër. “Do vijë një ditë që ne nuk do te jemi me”, ka shtuar me plot revolte këngëtari që i ka dhënë shumë muzikës shqiptare.

Liljana Kondakçi tregoi se ka projekte që shpreson t’i realizojë dhe se ende frymëzimi i saj mbeten ata njerëz që e duan dhe shijojnë muzikën që ajo bën.

“Kudo që unë këndoj shikoj reagimin e njerëzve. Punoj shumë për të shtuar repertorin, punoj sikur të jem futur dje në treg. Ndihem e vlerësuar nga njerëzit që duan muzikën time”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, teksa komenton artistët e rinj dhe muzikën e re në Shqipëri, Kozma Dushi është shprehur: “Muzika sot nuk dëgjohet, por shikohet. Në Shqipëri ka shumë pak këngëtarë të rinj që realisht bëjnë muzikë të mirë, mund të përmend Anjeza Shahinin”.

Kozma Dushi dhe Liljana Kondakçi ishin të ftuar në qendrën e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Jalë. /TCH/

TAGS