Kërkohen kushte për personat e verbër

Kërkohen kushte për personat e verbër

Në Programën e mbrojtjes sociale, Komuna e Tetovës ka ndarë 760 mijë denarë që përfshijnë një sërë aktivitete për shoqatat që përkujdesen për kategoritë e rrezikuara. Në këtë drejtim është edhe përkujdesja për personat me shikim e verbër dhe gjysëm të verbër, shkruan gazeta KOHA. Ndërkaq, nga kjo shoqatë thonë se në asnjë pjesë të Tetovës nuk ka sinjalizim special për personat e verbër. Kështu, personat e kësaj kategorie çdo ditë hasin në probleme gjatë kalimit të rrugëve kur marrin pjesë në komunikacion.

Për këtë kategori të qytetarëve, kohë më parë ishte vendosur sinjalizim me zë për personat e verbër në semaforët në qendër të Tetovës dhe të verbrit e kishin më lehtë të kalojnë rrugën, por me largimin e semaforëve dhe me fillimin e ndërtimit të rrethit, tashmë në këtë qytet nuk ka asnjë shenjë që këta persona ta kenë më lehtë kur dalin në rrugë.

Lidija Andonovska, sekretare në Shoqatën e të verbërve dhe personave me shikim të dobët në Tetovë, shprehet se ndaj këtyre personave nuk tregohet kujdes në aspektin e krijimit të kushteve dhe vendosjes së semaforëve special.

“Në Tetovë mungojnë shenjat orientuese për personat e verbër. Kjo kategori është lënë në mëshirë vetëm të Shoqatës së të verbërve, e cila kujdeset për ata. Po ashtu, ata shumë pak kanë qasje edhe nëpër institucione, sepse mungojnë personat që do t’i orientonin ata kur kanë nevojë në ndonjë sportel të ndonjë institucioni”, thotë Andonovska.

Sipas saj, në Tetovë deri para pak kohe ka ekzistuar vetëm një semafor, i cili ka pasur zë për personat e verbër që të mund të kalojnë rrugën, kurse tashmë në këtë qytet nuk ka asnjë semafor të tillë. Ajo theksoi se këta persona tashmë nuk mund të dalin në qytet pa shoqërues.

Nga Shoqata e personave me shikim të dobët dhe të verbërve shprehen se shoqata në fjalë ekziston që nga viti 1956 dhe kjo shoqatë numëron 190 anëtarë nga Tetova dhe nga komunat rurale siç janë Tearca, Jegunoci, Zhelina, Bogovina dhe Bërvenica.

Në këtë shoqatë bëjnë pjesë personat të cilët e kanë të dëmtuar shikimin mbi 90 për qind, dhe personat të cilët kanë shikim të dobët. Krahas mos përkujdesit ndaj kësaj kategorie, shteti është përkujdesur që ata të kenë disa beneficione. Personat e verbër kanë lëshime gjatë pagesës së taksës radiodifuzive, telefonisë fikse dhe të celularëve, gjatë pagesës nëpër pikat pagesore në rrugë dhe gjatë regjistrimit të veturës. Nga kjo shoqatë njoftojnë se për këtë kategori të personave shteti ka mundësuar edhe disa beneficione.

“Sipas Ligjit për mbrojtje sociale nga viti 2009, dhe ndryshimeve të bëra në këtë ligj në vitin 2012, është paraparë që edhe këta persona të marrim ndihmë nga shteti, por së pari personat e verbër duhet të kalojnë nëpër komisione ndërsa më pas Qendra sociale jep vendim”, thotë Andonovska.