Këta janë këngëtarët që jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në festivale

Këta janë këngëtarët që jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në festivale

Këngëtarët e festivaleve.

Adelina Hasani

Megjithëse kishte një numër të madh festivalesh të muzikës argëtuese qoftë në Kosovë e Shqipëri, sot vetëm një prej tyre vazhdon aktivitetin.

Është Festivali “Kënga Magjike” me producent kantautorin Ardit Gjebrea që vazhdon të jetë një adresë për këngëtarët e grupet, të cilët dëshirojnë që krijimtarinë e tyre ta shpalosin në një skenë prestigjioze.

Aurela Gaçe është një prej këngëtareve që ka karrierën e saj e ka nisur nëpër festivale dhe me gjithë vitet në skenë, ajo i ka qëndruar besnike atyre. Madje, aty ku ajo merr pjesë, gjithmonë del fituese. Disa nga çmimet e para të saj janë te “Kënga Magjike”, ku kishte fituar me këngët “Hape vetën”, e më vonë, edhe me atë me titull “Pa kontroll”, një bashkëpunim me Young Zerkën. Çmime të para ka fituar edhe te Festivali i fundvitit në RTSH, e njëra nga këto fitore e dërgoi atë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurovizion”. Pjesëmarrja e saj e fundit në festival ishte te “Kënga Magjike”. Ajo atje u prezantua në bashkëpunim me Eli Farën me këngën “Zemra rratatata”. Kënga u pëlqye shumë nga publiku në Kosovë e Shqipëri. Këtë e dëshmoi më së miri çmimi “Kënga hit” që morën Gace e Fara, përveç çmimit të dytë po ashtu.

Edhe pjesëmarrjet e Yllka Kuqit kanë qenë të shumta nëpër festivale, nisur nga Kosova, në “Polifest” e deri te “Kënga Magjike”. Çmime të para dhe të tjera çmime të rëndësishme për një këngëtar ka fituar vazhdimisht Yllka. Madje, këngëtarja ka arritur që nga këto festivale të nxjerrë hite të mëdha, siç ishte “Dhe të dua ty”. Me këtë këngë, ajo kishte fituar çmimin e dytë në një prej edicioneve të “Këngës Magjike” dhe më pas, këtë këngë e kishte realizuar në duet me kantautorin, Ardit Gjebrea, i cili njëherësh është edhe producent i këtij festivali.

Rosela Gjylbegu po ashtu, identifikohet si këngëtare e festivaleve, meqë zakonisht krijimet e reja i prezanton në këto ngjarje. “Sikur të isha ti”, “Rri me mua”, “Maratonë” e “Rruga e zemrës” janë disa nga këngët pjesëmarrëse në festivale. Me “Rrugën e zemrës”, duet ky me Eliza Hoxhën, fituan çmimin e parë.

E pikërisht edhe Eliza Hoxha hyn në këtë listë, meqë sidomos pjesëmarrjet e saj kanë qenë të shpeshta viteve të fundit te “Kënga Magjike”, por duke mos harruar më herët edhe “Top Fest”-in. Nga ky i fundit, suksesi i saj i madh ishte kënga “Dëshpërimi”, që më pas u realizua edhe me videoklip. Pjesëmarrja e fundit e Eliza Hoxhës ishte në festivalin e RTSH-së me këngën “Peng” të cilës më pas ia realizoi edhe videoklipin.

Një tjetër emër i njohur, që njihet për pjesëmarrjet e shumta në festivale është edhe kantautori, Pirro Çako. Pos krijimeve të shumta për këngëtarët e tjerë e që në fakt, në të shumtën e rasteve kanë qenë të suksesshme, Çako është prezantuar shpesh edhe vetë si pjesëmarrës. Ndërkohë, “Unë, ai, ti, ajo” dhe “Për një çast më ndali zemra”, mbeten dy nga hitet më të mëdha të festivaleve shqiptare, e që janë krijimtari e Çako.

Pjesë e kësaj liste është patjetër edhe këngëtarja Filloreta Raçi. Ajo gjithmonë ka qenë e hapur për të qenë pjesë e festivaleve në Shqipëri. Qysh në fillimit e karrierës së saj muzikore ajo ka qenë pjesë fillimisht e “Top Fest”-it, e më pas edhe e “Këngës Magjike”. Në këtë të fundit Fifi shënoi sukses të madh dy vjetët e fundit. Këngët e saj u bën hit dhe morën vëmendje të madhe nga publiku gjithëshqiptar. Kënga “Psikopatja jote” u rendit në vendin e tretë, ashtu sikurse po në këtë vend ishte renditur edhe kënga “Zhurmë” me të cilën mori pjesë një vit më herët.

Një tjetër këngëtare festivalesh është edhe Rozana Radi. Në një prej edicioneve të “Këngës Magjike” kishte fituar vendin e parë, ndërkohë që ajo çka e veçon gjithmonë janë tematikat të cilat i prek në këngët e saja. Duke qenë tekstshkruese, ajo gjithmonë ka ditur të prek tema, mbi të gjitha të ndjeshme për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.   

Tashmë mungesa e festivaleve ka bërë që këngëtarët shqiptarë të jenë të fokusuar tek realizimi i këngëve që shoqërohen me videoklip. E kjo meqë është edhe trend prej kohësh në skenën muzikore./Gazeta Express/

TAGS