KFOR: Jemi të gatshëm për ndërhyrje nëse kërkohet

KFOR: Jemi të gatshëm për ndërhyrje nëse kërkohet

Lidhur me aksionin policor në veri KFOR përmes një komunikate për media thotë se në atë pjesë nuk është e vendosur as FSK-ja e asnjë forcë tjetër ushtarake.

“Lidhur me situatën aktuale, KFOR-i informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin. KFOR-i konfirmon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës”, theksohet në reagimin e KFOR-it.

Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it i ka ftuar të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë.

“Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, theksohet KFOR.

KFOR-i ndër tjerash ka deklaruar se vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/

TAGS