KGjK u jep urdhër Gjykatave të ndalojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa

KGjK u jep urdhër Gjykatave të ndalojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër që të aplikojnë urdhrin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren Ymer Hoxha, me datë 08 gusht 2018, kishte lëshuar Urdhër, ku nuk u lejohej hyrja e avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe Zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.

Sipas njoftimit të dërguar nga Këshilli Gjyqësor, sqarohet se në mbledhjen e mbajtur me datë 27 dhjetor 2018, Këshilli ka shqyrtuar kërkesën e Arianit Salihut, ushtrues detyre i Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Këshilli Gjyqësor ka vlerësuar se Vendimi i Kryetarit Ymer Hoxha, në lidhje me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa apo pa leje, është në përshtatshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave dhe nën kompetencën e kryetarit të Gjykatës, thuhet në njoftim.

Andaj Këshilli Gjyqësor i ka rekomanduar që të njëjtin vendim ta praktikojnë edhe nëpër të gjitha Gjykatat tjera.

TAGS