Kina mbledh në Dubrovnik edhe vendet e Ballkanit, por jo edhe Kosovën

Kina mbledh në Dubrovnik edhe vendet e Ballkanit, por jo edhe Kosovën

Kryeministri i Kinës do të takohet me udhëheqësit nga Evropa Qendrore dhe Lindore gjatë pjesëmarrjes në një konferencë në qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut.

Por siç edhe ndoshta do të ishte e pritshme, përkundër faktit se ka ftuar 5 vende nga Ballkani, Kina në këtë takim nuk ka ftuar Kosovën.

Kjo pasi që, siç është bërë e ditur, pjesëmarrëse në samitin e Dubrovnikut janë 11 vende evropiane dhe 5 nga Ballkani: Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina.

Siç shkruan REL, kryeministri, Li Keqiang, do të marrë pjesë në takimin e ashtuquajtur 16 + 1 për të diskutuar investimet e Kinës në 16 vendet e rajonit.

Evropa Lindore luan një rol kyç në infrastrukturën dhe projektin “Rruga e Mëndafshit”, i cili vlerësohet deri në 1 trilion dollarë dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt perëndimit.

Pekini përmes këtij projekti po synon të lidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Evropën, përmes një rrjeti portesh, hekurudhash, rrugësh dhe parqeve industriale.

Më 11 prill, në Kroaci, kryeministri kinez vizitoi një urë që po ndërtohet nga një kompani kineze shtetërore mirëpo e cila është financuar nga Bashkimi Evropian

Kompania e Kinës më 2018 fitoi të drejtën për të ndërtuar urën 2.4 kilometra përmes një oferte ndërkombëtare.

Ky është një projekt i rrallë kinez në Evropë që kalon përmes një procesi të rregullt të ofertave.

Samiti i Dubrovnikut vjen tri ditë pas një takimi BE-Kinë në Bruksel, ku kryeministri Li u zotua për të hapur ekonominë e Kinës dhe për të thelluar lidhjet me bllokun. /Telegrafi/

TAGS