KMDLNJ: Vdes edhe një i dënuar në burgun e Dubravës

KMDLNJ: Vdes edhe një i dënuar në burgun e Dubravës

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut (KMDLNj) përmes një njoftimi për media bënë të ditur se me datë 22.05.2019 në Spitalin Rajonal të Pejës ka ndërruar jetë Xh. P i lindur në Gjakovë me 25.05.1965, i dënuar për vrasje të rëndë dhe në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës nga data 05.01.2009.

Sipas njoftimit të dënuarin Xh. P, monitorues të KMDLNj-së e kanë vizituar disa herë , qoftë me ftesë të të dënuarit Xh. P ashtu edhe me kërkesë të zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor të Burgjeve për faktin se ka pasur një gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore e që ka përfunduar me fatalitet.

“Kohën më të madhe i dënuari, tash i ndjeri Xh. P e ka kaluar në Njësinë Spitalore (Ambulantore) të Burgut të Dubravës dhe, shumë herë është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë si dhe në Spitalin Rajonal në Pejë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut edhe më herët ka kërkuar që të dënuarit që janë me diagnozë të një sëmundjeje të pashëruar e që i kanë ditët apo javët e numëruara duhet të dërgohen në shtëpi e jo të vdesin në burgje”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës vdekjet e paevitueshme në hapësirat e institucioneve të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit e për të cilat nuk mund t’i adresohet asnjë përgjegjësi Shërbimit Spitalor i Burgjeve ngjallë shumë dilema në opinion sikur edhe te familjet e të privuarve nga liria, më shumë si statistikë se një gjendje reale.

“Shërbimi Spitalor i Burgjeve nuk ka kapacitet profesional, material e as teknik t’i trajtojë të dënuarit me diagnozë terciare sikur që Shërbimi Korrektues i Kosovës, edhe për shkaqe objektive nuk ka mundësi të organizojë transport për këto raste , çdo herë kur është e nevojshme. Edhe shërimi apo trajtimi mjekësor është shumë i kushtueshëm andaj nuk ka mundësi që trajtimi të bëhet si duhet. Për rastet e vdekjeve e të privuarve nga liria e që vuajne nga sëmundje të pashërueshme, KMDLNj nuk e bënë përgjegjës Shërbimin Spitalor të Burgjeve e as Shërbimin Korrektues të Kosovës por e adreson përgjegjësinë tek institucionet që kanë mungesë të theksuar të humanizmit duke mos lejuar që të dënuarit me diagnozë terciare të kenë mundësinë të vdesin në shtëpitë e tyre dhe afër familjeve të tyre”, thekson njoftimi.

Ndër të tjera KMDLNj thekson se ndonëse të drejtat e njeriut mbrohen me ligj sepse pikërisht ligji është përgjegjës për shkeljen e tyre, në rastet kur vdekja është e pashmangshme për shkak të sëmundjes së pashërueshme, ligji duhet t’iu nënshtrohet të drejtave të njeriut.

“Për dy vdekjet e fundit të personave të dënuar ( brenda 30 ditësh) të gjithë e kanë ditur se vdekjen e kanë çështje ditësh apo orësh. Pse është dashur të vdesin në burg? Për të bërë pastaj lajm dhe për të akuzuar Shërbimin Shëdetësor të Burgjeve dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës?! Në kohën kur përgjegjësia është dikund tjetër”, thuhet në njoftim./Telegrafi/

TAGS