30 August 2018 / 15:48
Shumica nisi zyrtarisht fushatën për referendumin e 30 shtatorit mbi marrëveshjen me Greqinë. Partitë e koalicionit qeveritar, partitë jashtëparlamentare dhe OJQ-të janë rreshtuar nën moton “Bashkë PËR Maqedoninë Evropiane”. Ditë më parë, partitë e shumicës parlamentare, subjekte jashtë parlamentare dhe jo politike zyrtarizuan koalicionin për referendum. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se referendumi është produkt i konsensusit nacional dhe se ky referendum nënkupton pavarësi të dytë për Maqedoninë. Zaevi i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit që të përfshihen në fushatë dhe të mbështesin referendumin.
Të gjithë ne e kemi për obligim që të dalim dhe të votojmë për pavarësimin tonë të dytë, me qëllim që të sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Të gjithë ne, do të dalim dhe do të votojmë për, që të sigurojmë Maqedoni Evropiane. Qytetarë të nderuar, Evropa po na pret. Ta kapim këtë shans dhe të ecim para, me krenari dhe sinqeritet, si qytetarë të barabartë të këtij kontinenti që i takojmë”- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se anëtarësimi në NATO dhe BE bashkë me rrumbullakësimin e Marrëveshjes së Ohrit është kërkesë e kahmotshme e qytetarëve. Edhe Ahmeti ftoi opozitën që t’i bashkohet referendumit, duke kërkuar prej tyre që, siç thotë ai, të heqin dorë nga interesat ditore.
Në vazhdimësi qytetarët tanë kanë kërkuar nga ne integrim në NATO dhe në BE si një prioritetet më i lartë për ta. Në vazhdimësi ne jemi angazhuar që ta realizojmë këtë kërkesë të 90 për qind të qytetarëve. Pikërisht sot jemi para rrumbullakësimit të përpjekjeve tona dy-dekadëshe për integrim të vendit aty ku e kemi vendin si plotësim dhe synim i gjeneratave të tëra ndër vite”- theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Derisa fushata ka nisur, VMRO-DPMNE-ja akoma nuk ka shprehur qëndrimin përfundimtar mbi referendumin. Nga partia e Mickoskit vazhdojnë të kërkojnë nga Kuvendi që paratë e destinuara për fushatë të orientohen për projekte kapitale në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Për dallim nga opozita maqedonase, opozita shqiptare është deklaruar “për” referendum, por që fushatën do ta bëjnë ndaras. Aleanca për Shqiptarët do të bëj fushatë veçmas nga koalicioni. Lideri i ASH-së Ziadin Sela bojkotoi takimin për zyrtarizimin e koalicionit duke theksuar se nuk pranon ftesë nga një Qeveri siç e quan ai të inkriminuar. Lëvizja Besa e Bilall Kasamit nga ana tjetër, edhe pse ishte pjesë e takimit, njoftoi se fushatë për referendum do ta bëj veçmas.
Adrian Kerimi