“Unë jam i gatshëm t’ia jap zotëri Mickoskit 13 deputetë, pasi për 61 deputetë ka nevojë që të formojë qeveri të pakicës. Ose do të kërkoj prej Mickoskit të mi japë gjashtë deputetë, pasi aq do të na duhen neve që të mund të formojmë Qeveri të pakicës. Askush nuk lejohet të negociojë nën shantazhe…”
Hristijan Mickoski
“Nëse zotëriu Naser Ziberi arrin të bëjë shumicë prej 61 deputetësh, 70, 80 deputetë, atë shumicë nuk do ta përbëjë grupi parlamentar i koalicionit ‘Ripërtrirje e Maqedonisë’, këtu të jeni të sigurt…”
Deklaratat e dy liderëve të partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristian Mickoski, ku e lënë të hapur mundësinë që të shkëmbejnë deputetë ndërmjet tyre, si mundësi për të anashkaluar partitë shqiptare gjatë formimit të Qeverisë së ardhshme, kanë mobilizuar krerët e koalicionit Alternativa-Aleanca për Shqiptarët. Nga kampi më i madh politik shqiptar vlerësojnë se partitë maqedonase janë të vetëdijshme se në qeverinë e ardhshme nuk do ta kenë komoditetin për të zvarritur me vite të tëra të plotësimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve, siç kanë bërë për shumë vjet me partnerin e tyre në Qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrim.
Nga kampi AAA-ASH vlerësojnë se BDI u shërbeu për shumë vjet qeverive të drejtuara nga kryministra maqedonas, ndërsa tash kur e ndien se do të mbetet në opozitë e shpiku idenë
e “kryeministrit shqiptar”, e cila vlerësohet si utopike për t’u realizuar, por ndër të tjera ka pasur edhe efektin e një lloj mobilizimi në kampin maqedonas.
Për këtë çështje ka folur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë një tubimi të koalicionit ”Tash Është Koha” në Strugë. Ai e ka kritikuar ashpër pretendimin për të kushtëzuar shqiptarët gjatë formimit të Qeverisë së ardhshme.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët
“Ju e vëreni lojën politike të vjetër dhe të re, të cilën po e nxisin Zoran Zaevi dhe Mickoski, në mënyrë që ta shpëtojnë partnerin e tyre të preferuar, se gjoja kanë armiqësi me njëri-tjetrin. Më lejoni të ju bëj një pyetje publike edhe Zaevit edhe Mickoskit, të cilët u zotuan ndaj-njëri tjetrit se do të bëjnë qeveri bashkë qeverinë, në qoftë se shqiptarët kushtëzojnë. Po i pyes, a jeni të vetëdijshëm se në këtë mënyrë po i përjashtoni shqiptarët, a jeni të vetëdijshëm se kur përjashtohesh nga sistemi ke të drejtë ta bojkotosh sistemin dhe kur e bojkoton sistemin ke të drejtë të bësh sistem paralel. Në qoftë se ju doni të bëni qeveri maqedonësh, shqiptarët do të bëjnë qeveri shqiptarësh, mos keni asnjë dilemë”
Kreu i Alternativës, Afrim Gashi ka thënë se arsyeja e formimit të koalicionit është fitorja më 15 korrik dhe garantimi i të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në shtet. Gashi ka thënë se qeverisja 18-vjeçare e BDI-së karakterizohet me fenomenin kur vota e shqiptarëve dërgohet te maqedonasit, dhe bashkë me ta shtypen shqiptarët.
Afrim Gashi, kryetar i Alternativës
“Deri kur do të tolerojmë që në baza etnike t’i zhvillojmë qytetet tona…Më 15 korrik do ta shënojmë fitoren. Do të jetë dita e parë kur do të fillojmë ta çrrënjosim këtë diskriminim dhe ta vendosim barazinë e plotë përmes programit dhe njerëve që do të na përfaqësojnë në qeverinë e ardhshme”
Haki Abazi, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, në emër të Vetëvendosjes, ka thënë se gjëja me e sigurt në historinë e shqiptarëve është se ata fitojnë vetëm kur janë të bashkuar. Ai ka thënë se shqiptarët duhet që ta përfundojnë epokën e nënçmimit dhe të shërbimit për të tjerët.
Haki Abazi, Lëvizja Vetëvendosje
“Barazia nuk mund të fitohet ndryshe veçse duke vendosur njerëzit në udhëheqjen tuaj që ju shërbejnë juve dhe nuk janë njerëz që zgjidhen për privilegje. Ky ndryshim duhet të ndodhë. Gjithë shkollën e bëmë duke marrë pesa dhe ky ndryshim fillon këtu me notën pesë”
Përfaqësuesit e koalicionit ”Tash Është Koha” deklarojnë se shqiptarët kanë mundësi që një herë e mirë t’i thonë jo një politike që përdor sllogane patriotike dhe premtime të parelizueshme, ndërkohë që në realitet u kanë shërbyer politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve.