Kodi Zgjedhor, negociatat zhvillohen në fshehtësi

Kodi Zgjedhor, negociatat zhvillohen në fshehtësi

Pak informacione shpërndahen në publik për rrjedhën e negociatave mes partive politike dhe institucioneve kompetente për ndryshim të Kodit Zgjedhor. Deri tani, nuk dihet se cilat dispozita të ligjit janë objekt negociimi dhe janë në prag të ndryshimit. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ka pranuar se brenda këtyre ditëve pranojnë sugjerime nga partitë rreth draft-propozimeve.

Pjesëmarrësve në atë takim, jo vetëm të partive politike por edhe të institucioneve, u janë dhënë propozime të caktuara për ndryshim të Kodit Zgjedhor. Gjatë javës së kaluar dhe gjatë kësaj jave marrim “feedback” prej tyre. Grupi i punës do të ulet dhe do t’i shqyrtojmë. Më pas do të thirrim takim tjetër. Mendoj se debati rreth këtyre temave që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-së është konstruktiv- deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Rekomandimet e OSBE/ODIHR të cilat kanë të bëjnë me ndryshime më të vogla teknike të Kodit Zgjedhor në aspekt të realizimit të zgjedhjeve duket se nuk përbëjnë problem të pranohen nga të gjitha partitë. Pjesët ku subjektet politike kanë qëndrime të ndryshme janë propozimet e partive më të vogla parlamentare, për një njësi zgjedhore dhe për lista të hapura të kandidatëve për deputetë. Sipas LSDM-së, propozimi konkret, gjithsesi, do të hyjë në procedurë parlamentare. Megjithatë, sa u takon listave të hapura të kandidatëve për deputetë, partia më e madhe në pushtet thotë se është më mirë fillimisht të testohen në zgjedhjet lokale, në garën për këshilltarë.

E para, presim të kemi mirëkuptim nga bashkëbiseduesit tanë me të cilët negociojmë për këtë proces kurse në fund të fundit, besoj se në Kuvend është e mundur që të mblidhet numri i nevojshëm i deputetëve të cilët do ta mbështesnin këtë propozim- tha Hari Llokvenec, LSDM.

VMRO-DPMNE-ja, nëse shkohet drejt ndryshimit të modelit zgjedhor, zgjedh atë të shumicës me 120 njësi. Se cili ka qenë qëndrimi i tyre në takimin negociues me ndërmjetësimin e Ministrisë së Drejtësisë, akoma nuk është bërë e ditur.

Është e vërtetë që ka pasur takim fillestar por kemi rënë dakord që të mos jepet asnjë informacion nga ajo që atje është diskutuar. Habitem se si kanë arritur këto informacione tek ju por unë do t’i përmbahen principit që kur jepet fjala, qoftë edhe ndaj LSDM-së dhe Zoran Zaevit, të paktën ne ta respektojmë. Nuk do të futem në detaje se si zhvillohen negociatat por mund t’ua konfirmoi se kishte takim inciues- pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

BDI-ja kërkon të mbetet modeli aktual, proporcional dhe me gjashtë njësi zgjedhore. Partneri tjetër i koalicionit qeveritar, Alternativa, mbështet nismën me një njësi dhe lista të hapura. Aleanca për Shqiptarët është kundër një njësie zgjedhore kurse Lëvizja Besa synon ndarjen në tre njësi zgjedhore. KSHZ-ja është deklaruar e gatshme që administrativisht të zbatojë cilindo ndryshim i cili do të miratohet në Kuvend.

Fatlume Dervishi 

Loading…