Alsat 2019-11-19T16:16:20+01:00
Qeveria me iniciativë për ri-integrimin e qytetarëve të kthyer, të cilët ndonëse kërkuan, nuk fituan azil në shtete të BE-së. Derisa strategjitë e deritanishme nuk gjetën zbatim të plotë në praktikë, në seancën e sotme qeveritare u vendos të formohet një trup i ri pune, që do të gjejë modelin më të përshtatshëm për të riintegruar të kthyerit, 80% e të cilëve janë romë.
Qeveria në të njëjtën seancë konkludoi që të formojë një grup pune, të cilën do ta kryeson Sekretariati për Çështje Evropiane dhe do të marrin pjesë anëtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Ky trup pune ka për obligim që të përgatit një model për integrimin e të gjithë të kthyerve”-tha Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Por nga ana tjetër, romët të cilët kishin frikë të prononcoheshin para kamerave shprehen të dëshpëruar nga diskriminimi i skajshëm në arsim, shëndetësi e punësim. Ata thonë se do të bëjnë çmos që të largohen sërish nga vendi.
“Duam punë këtu të na jep shteti ynë dhe jo shtet i huaj. Por kaq vite jemi pa punë, askush nuk na ofroi të punojmë të fitojmë bukën e gojës. Tani e ndërprenë ndihmën sociale. Imagjinoni me këtë Qeveri filloi Komisioni nëpër shtëpi të shkojë. Ua ndërprenë të varfërve ndihmën sociale. A duhet njerëzit të jetojnë në karton? Atëherë do t’ua jepni 3 000- 10 000 denarë?! Turp është ky!”
“Të gjithë do të shkojmë pas janarit! Kush do të qëndrojë?! A nuk shikoni se Shutka është e zbrazët?! Shutka është e zbrazët. Nuk ka punë. Kujt t’i shesim?! Për 1000 den. Qëndroj gjithë ditën. 3 fëmijë kam. Çfarë do të bëj?!”
Madje një 25 vjeçar, i cili ka 3 vjet që punon jashtë vendit thotë se nuk do të kthehet më këtu, pos për pushime.
“Unë tashmë jam jashtë vendit. (Sa kohë?) 3 vjet. Për jetë më të mirë. (Pra këtu nuk keni pasur punë?) Kam pasur punë edhe këtu. (Ishte paga e ulët?) Jo, shkova sepse e gjithë familja është atje.”
Bazuar në statistikat zyrtare për vitin 2017, 5 570 azil-kërkues janë kthyer në Maqedoninë e Veriut; 31 255 në Shqipëri; 13 545 në Kosovë, 8 075 në Serbi; 2 660 më Bosnjë e Hercegovinë dhe 825 në Mal të Zi. Shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë ose përpunojnë strategji për reintegrimin e romëve të kthyer, megjithatë implementimi i të njëjtave ka qenë i dobët. Në mënyrë që të sigurohet mbrojtje efikase socio-ekonomike në nivel shtetëror dhe lokal për të kthyerit UNDP, Banka Botërore dhe BE-ja do të investojnë 2,6 milion euro në një projekt që pritet të realizohet nga viti 2020 deri në 2022.
Anesa Salihu
Loading…