Komiteti i Helsinkit: Dënojmë pengimin e protestave civile në Tetovë

Komiteti i Helsinkit: Dënojmë pengimin e protestave civile në Tetovë

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thotë se ngjarja e djeshme në Tetovë, për të cilën njoftuan “Eco Guerilla”, qendra “Loja” dhe “Transformatorët rajonalë”, paraqet shkelje të së drejtës kushtetuese për protesta të qeta.

Komiteti i Helsinkit e dënon largimin dhe shkatërrimin e ekspozitës me fotografi, e cila dje u vendos nga disa aktivist qytetarë, ndërsa sipas tyre, fotografitë u larguan nga zyrtarët e Komunës së Tetovës.

“Gjysmë ore pasi një grup qytetarësh kanë vendosur fotografi në disa lokacione në Tetovë, disa persona me makinën zyrtare të Komunës së Tetovës e kanë shkatërruar dhe larguar ekspozitën. Me këtë akt të dhunës, drejtpërdrejtë është sulmuar liria e shprehjes dhe është shkelur e drejta dhe liria e njeriut”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Ata presin që Komuna e Tetovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme të punojë për zbardhjen e këtij incidenti dhe personat e përfshirë të mbajnë përgjegjësi.