Alsat 2019-08-17T15:01:04+02:00
Në fshatin Kondovë, fëmijët nuk e kanë shijuar ndonjëherë shkuarjen në çerdhe. Ata që takuam rrugës na thanë se arsimimi iu ka filluar që nga klasa e parë. Kjo ngase në këtë fshat prej afërsisht katër mijë banorësh nuk ka pasur ndonjëherë kopsht për fëmijë.
“Unë quhem Fitim, jam 6 vjeç dhe jam klasa e parë. Nuk kam shkuar në çerdhe se nuk ka pasur këtu.”
“Unë quhem Fidan, jam 9 vjeç dhe jam klasa e katër. Nuk kam ndjekur edukimin parashkollor sepse në fshatin tonë nuk ka pasur kopshte.”
Por, një projekt prej 260 mijë eurove i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale mundësoi që nga muaji prill të nisin punimet për themelimin e çerdhes së fshatit me kapacitet për 90 fëmijë. Në këtë parcelë publike, sipas autoriteteve aktualisht janë kryer 30% të punimeve, ndërsa e gatshme për përdorim pritet të jetë më 31 janar të vitit të ardhshëm. Banorët thonë se ata që kanë dashur fëmijët e tyre të marrin hapat e parë të procesit edukativo-arsimor janë detyruar t’i çojnë nëpër çerdhet e Sarajit dhe komunave të tjera të kryeqytetit.
Dikush i çon ata fëmijë në Saraj, dikush në Nerez e të tjerët në Shkup. Janë në punë si nëna edhe babai e fëmijët mbeten në rrugë. Kurse, do të jetë më mirë në prag të shtëpisë do të edukohen fëmijët se sa të bredhin rrugëve gjithë ditën”-tha një Banor i fshatit Kondovë.
Përgjegjës i arsimit fillor në Komunën e Sarajit, Fahri Rexhepi thotë se ky projekt nuk i plotëson të gjitha kërkesat e kësaj komune. Ai thotë se numri është i madh në listën e pritjes së fëmijëve për në çerdhe.
Në nivel të Komunës ne kemi numër të madh të fëmijëve ngase janë gjithsej 24 vendbanime dhe duke pas parasysh se vetëm në Saraj për momentin janë fëmijët, të cilët mund të përkujdesen në çerdhe, ne jemi përcaktuar për vendbanimin e dytë më të madh që është Kondova. Ngelin vendbanimet tjera me një numër të madh të fëmijëve, të cilët do të kenë nevojë që së shpejti të ndërtohen edhe disa objekte tjera ose çerdhe në vendbanime të ndryshme”-tha Fahri Rexhepi, Komuna Sarajit.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se aktualisht po ndërtohen dhe pajisen tetë objekte të reja, ndërsa përgatitet ndërtimi edhe i 35 çerdheve publike për fëmijë në vend.
Përpjekja e resorit të Milla Carovskës është që përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor ta rrisin për 50 për qind. Theksojnë se në dy vitet e fundit kanë hapur 24 objekte të reja, ku janë siguruar 1.272 vende shtesë, ndërsa sivjet thonë se kanë trefishuar buxhetin për këto qëllim.
Adnan Qaili
Loading…