Nuk është i mundur integrim në BE pa u zgjidhur sfidat me të cilat përballet komuniteti rom, u potencua në konferencën e sotme kombëtare “Vlerësim i avancimit të RMV-së në zbatimin e politikave publike ndaj komunitetit rom”.
Romët ende përballen me probleme në katër zona kyçe – arsim dhe shkencë, strehim, shëndetësi dhe kulturë edhe krahas të masave, aktiviteteve të ndërmarra dhe rritjes së buxhetit për zbatimin e tyre. Ata reagojnë edhe në përfaqësimin e vogël në administratën publike, si dhe në numrin shumë të vogël të vendeve udhëheqëse të cilët i përmbushin personat nga ky komunitet.
“Ne si Ministri mundohemi t’i përfshijmë romët në të gjitha politikat që i krijojmë me qëllim që të marrim një shoqëri e cila i identifikon dhe mundohet t’i integrojë të gjithë qytetarët. Reforma sociale direkt ndikon në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve të varfër, por nëse shkojmë sipas klasifikimit të caktuar do të shohim se përqindja e madhe e popullatës rome është e përfshirë me reformën, veçanërisht me shtesat për fëmijë dhe shtesat arsimore. Në mënyrë shtesë kemi punuar në përfshirjen e fëmijëve romë në kopsht, që më herë ishte e caktuar me vendim projektues”, ka thënë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
Ajo sqaroi se tani vetëqeverisjet lokale përmes grantit që e marrin nga Buxheti do të duhet t’i financojnë këta fëmijë dhe të sigurojnë vende të rezervuara në kopshtet në qytete ku ka popullatë rome me qëllim, siç tha, të mundësohet fillim i barabartë për të gjithë fëmijët në shoqërinë tonë.
Ministri pa dikaster, Muzafer Bajram thotë se është bërë mjaftueshëm në katër sferat e theksuara, si dhe se sivjet është siguruar buxhet më i madh për këtë qëllim, i cili është rritur për 100 për qind, prej 20 në 40 milionë denarë.
“Problem i madh dhe i hidhur i romëve është punësimi. Vetëm 1,3 për qind e romëve janë punësuar në administratën shtetërore, ndërsa tre e katërta punojnë në pozita të ulëta të punës. Një pjesë shumë e vogël e romëve të punësuar janë bartës të pozitave udhëheqëse. Do të thotë se nuk kemi udhëheqës në pozitat udhëheqëse, ashtu që kjo është shumë mposhtëse”, ka thënë ministri Bajrami.
Përfaqësimi i keq i romëve në sektorin publik, sipas Suad Skenderi nga Instituti për hulumtim dhe analizë të politikave – Romalitiko, është për shkak të balancuesit si algoritëm që ndihmon për sistemimin e vendeve në ndërmarrjet publike. Ky algoritëm, tha Skenderi, shkaktoi dëm në komunitetin rom i cili është i përfaqësuar me 1,3 në vend me 2,6 për qind. Shpresoj se kjo padrejtësi do të korrigjohet, theksoi Skenderi.
Ai konsideron se përfaqësimi i vogël dhe numri i vogël i vendeve udhëheqëse, nuk janë rezultat i pasqyrës së keqe arsimore tek ky komunitet etnik. Pas regjistrimit të fundit, i cili është nga viti 2002, është treguar se romët nuk janë mjaftë të edukuar dhe të kualifikuar, por analizat tona tregojnë se ka kuadër të përgatitur, shtoi Skenderi.
Ai kërkoi përveç rritjes së buxhetit të ketë edhe shfrytëzim të plotë të mjeteve, të cilat janë të parapara për avancimin e situatës të komunitetit rom.
Konferenca u mbajt në organizim të Institutit për hulumtim dhe analizë të politikave – Romalitiko dhe në kuadër të projektit “Shoqëria civile për integrimin e romëve 2020” i mbështetur nga Zyra për çështje rome pranë Fondacionit “Shoqëri e Hapur”, Berlin.