Ambasadorja britanike Rejçel Gallouej në takimin e sotëm me kryeministrin Zoran Zaev, e përshëndeti vendimin e Kuvendit të Maqedonisë në mbështetje të Marrëveshjes së Prespës, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm përpara në integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.
Siç kumtoi pres qendra qeveritare, të dy gjatë takimit kanë konstatuar se shumica prej dy të tretave në Kuvend për Propozimin për ndryshimet kushtetuese dëshmoi se është e mundur që deputetët e pozitës dhe të opozitës të punojnë së bashku kur bëhet fjalë për çështje kyçe për qytetarët dhe për shtetin, siç janë integrimet dhe reformat. Bashkëbiseduesit kanë shprehur mbështetje për të përforcuar konsensusin në Kuvend për çështje me interes shtetëror.
“Do të vazhdojmë në një atmosferë pozitive, nëpërmjet konstruktivitetit dhe përfshirjes, me deputetët në Kuvend, të punojmë në projekt amendamentet kushtetuese. Vërejtjet e deputetëve të opozitës të cilët dhanë mbështetje në procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, në lidhje me përmbajtjen e amendamenteve, janë në frymën e Marrëveshjes së Prespës”, tha kryeministri Zaev, qëndron në kumtesë.
Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, shtohet, në lidhje me reformat ka njoftuar se fokusi është në fazën e dytë të reformave gjyqësore, ligjet kundër korrupsionit, reformat në DZK, në administratën publike.
Ambasadorja Gallouej njoftoi se Mbretëria e Bashkuar në mënyrë aktive e ndjek situatën politike në Maqedoni dhe se jep mbështetje parimore për pajtim, që është e rëndësishme për integrimin e Maqedonisë, dhe me atë edhe për stabilitetin e gjithë rajonit, qëndron në kumtesë.