Koordinatori Hoti takohet me kryetarin e Hanit të Elezit

Koordinatori Hoti takohet me kryetarin e Hanit të Elezit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Sipas një njoftimi, qëllimi i takimit ishte mbarëvajtja e garës në nivelin e shkollës në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në kuadër të Programit Nacional për Rininë.

“Jam i kënaqur me interesimin e nxënësve për të qenë pjesë e garës. Ky program ka krijuar një gjallëri nëpër ambientet e shkollës, qytetit e shtëpisë. Tash nxënësit fitues të nivelit të shkollës janë nën ethet e garës komunale, andaj unë ju lus juve që ta mbështesni garën në nivelin komunal”, u shpreh Koordinatori Hoti duke shtuar se programi për rininë ka për qëllim avancimin e pozitës së të rinjve dhe se me këtë program qeveria kthehet drejtpërdrejt te nxënësit.

Ndërkaq, kryetari Suma ka thënë se është i bindur se ky program do jetë mundësia më e mirë për të nxjerrë në pah talentët e Hanit të Elezit dhe të gjithë Kosovës.

Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik në nivelin komunal për vitin 2019 mbahet gjatë datave 30 mars deri me 13 prill. /Telegrafi/

TAGS