Pandemia e Koronavirusit izoloi tërësisht edhe personat me aftësi të kufizuara. Në Qendrën ditore për personat me aftësi të kufizuar në Dibër, puna është ndërpre për më shumË se dy muaj e gjysëm dhe kjo kategori e personave të kësaj Qendre ngelën në shtëpitË e tyre tërësisht të izoluar. Drejtori i Qendrës për Punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, thekson se Qendra ditore ku qëndronin gjatë ditës këta persona – nuk funksionon nga momenti i shpalljes të situatës së krizës dhe deri sot. Paçuku shton se ky institucion do të hapet atëherë kur të vendosin kompetentët në organet qendrore.
“Edhe pse personat me aftësi të kufizuara të kësaj Qendre janë në shtëpitë e tyre dhe jo në Qendër, ne së bashku me stafin e qendrës kemi kontakt të rregullta me të gjithë personat. Edukatoret e Qendrës kanë vizituar në kontinuitet personat me aftësi të kufizuara në shtëpitë e tyre me qëllim që ata të kenë ngrohtësinë të personave që janë interesuar për të mirën e tyre dhe për kujdesin që kanë në Qendrën ditore. Për fat të mirë, të gjithë vizitorët e kësaj Qendre situatën shëndetësore e kanë të mirë dhe asnjë nga familjarët e tyre nuk kanë qenë të prekur nga koronavirusi. Megjithatë, mbyllja e institucionit negativisht ka ndikuar tek personat në fjalë”, thotë drejtori i Qendrës për punë sociale, Paçuku.
Në lidhje me këta gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, biseduam me Pendime Ajroska, nënë e Aronit, i cili është i rregullt në Qendrën ditore për personat me aftësi të kufizuar. Ajo thekson se mbyllja e Qendrës u prit me shqetësim tek djali i saj. “Aroni pothuasje çdo ditë kërkon të shkojë në Qendrën dhe të takohet me shokët dhe shoqet e tij”, thotë Pendimia dhe shton se, edhe pse ajo si prind dhe familjarët e tjerë tentojnë ta ulin shqetësimin e Aronit, sërish djali kërkon kontakte me personat e Qendrës, pasi më shumë se dhjet vjet ata janë shoqëruar aty. “Jemi të kënaqur nga vizitat që na i kanë bë edukatoret të Qendrës, por hapja e saj do të ishte një moment shumë i gëzueshëm për fëmijët tanë”, thotë Pendimia.
Qendra ditore për persona me aftësi të kufizuar me stafin se saj vite me radhë jep një kontribut të madh në socializimin e kësaj kategorie të personave. Kushtet dhe kuadri profesional në këtë Qendër ka arritur rezultate shumë të mira në socializimin dhe integrimin e këtyre personave me aftësi të kufizuara në shoqëri. Pikërisht ndërprerja e punës për shkak të pandemisë të koronavirusit është një hendikap i madh për personat në fjalë. Prindërit e këtyre personave, por edhe vet të punësuarit me padurim presin rihapjen e serishme të Qendrës për këtë kategori. (koha.mk)