Alsat 2020-04-10T15:45:07+02:00
Që nga sot, liderët e LSDM-së dhe VMRO DPMNE janë në izolim shtëpiak. Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski duhet të qëndrojnë në shtëpi për 14 ditë pasi kanë qenë afër kryeredaktorit të televizionit Kanal 5, Goce Mihajloski, i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Zaev dhe Mickoski ishin mysafirë veçmas në media një javë më parë.
Të dy Mickoski dhe Zaev janë testuar për koronavirus. Rezultati i Hristijan Mickoski, i cili u bë natën e kaluar vonë, është negativ. Sidoqoftë, ai do të jetë në izolim të detyrueshëm deri në 14 ditë pas kontaktit të fundit me të sëmurin. Në këtë pikë nuk ka nevojë për anketime speciale epidemiologjike. Rezultati i kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, duke pasur parasysh që ai tashmë ishte larguar për në Strumicë mbrëmë do të jetë gati sot, por ai menjëherë pasi i mori informacionin është vënë në izolim shtëpiak – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe informoi se gazetari është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe është shtruar në spitalin “8 Shtatori”. Kanal 5 raportoi se Mihajloski dy javë më parë në fundjavë ka qenë tek prindërit e tij në Prilep dhe nga e hëna ka vazhduar punën. Ai nuk kishte simptoma për një javë. Por më pas ka ndjerë plogështi, lodhje dhe ka pasur kokë dhimbje. Ai ka shkuar në shtëpi dhe të nesërmen ka pasur temperaturë. Ai ka kërkuar teste nga mjeku amë, por këtë nuk e ka lejuar anketa epidemiologjike. Të nesërmen ai mori një test negativ në një spital privat, por më pas bëri një tjetër, por në një institucion tjetër. Ky test ka dalë pozitiv, kështu që Mihajloski është shtruar në spital që nga dje. Këto detaje u njoftuan nga Kanal 5, por nuk specifikuan nëse ekipi i këtij mediumi do të jetë në vetëizolim, edhe pse Filipçe tha se do të bëhen anketa se sa njerëz do të shkojnë në vetëizolim, nëse ka një nevojë të tillë.
Kompania jonë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të ndërmarrë të gjitha hapat për të kapërcyer shpejt këtë gjendje të pafat shëndetësore dhe do të informojë me kohë publikun për gjithçka. Kolegut tonë Goce Mihajloski i dëshirojmë shërim të shpejtë. As ai nuk ka dashur të infektohet me Covid-19, e lëre më ta transmetojë atë dhe të infektojë palët e treta – njoftojnë nga TV KANAL 5.
Në 24 orët e kaluara, janë regjistruar 48 raste të reja të koronavirusit. Numri i përgjithshëm i pacientëve tani në vendin tonë është rritur në 711. Shumica e tyre janë në Kumanovë – 25. Më pas vjen Shkupi me 11, Prilepi me 4, Struga 3, Gostivar 2, dhe nga një në Shtip, Tetovë dhe Ohër. Shkupi, Kumanova dhe Dibra mbeten qytetet më të prekura. Në kryeqytet ka 284 raste, 168 në Kumanovë dhe në Dibër numri mbetet 49. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Klinikën Infektive janë shëruar tre pacientë, dy nga Tetova dhe njëri nga Kumanova. Deri më tani, 41 persona janë shëruar nga virusi. Por ka pasur edhe dy vdekje të tjera në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 32. Në 24 orë, janë kryer 496 teste. Deri më tani në Maqedoni janë testuar mbi 7,000 qytetarë.
Igor Stefanovski
Loading…