Koronavirusi ka bllokuar edhe emërimet e ambasadorëve

Koronavirusi ka bllokuar edhe emërimet e ambasadorëve
Tash esht Koha

Mungesa e ambasadorëve në përfaqësi të rëndësishme diplomatike konsullore është papërgjegjësi dhe joseriozitet në kohë kur vendi u anëtarësua në NATO dhe pret fillimin e negociatave me BE-në. Ky është qëndrimi i Sindikatës së diplomatëve, sipas të cilëve ka rënë niveli i përfaqësimit të shtetit, pasi kapaciteti dhe pesha e një ushtruesi detyre nuk është e njëjtë me atë të një ambasadori.

“Sindikata është nën shumë presione, anëtarët thirren në procedurë disiplinore, largohen nga puna, degradohen. Nuk e dimë kjo ku shpie, ndërsa situata përkeqësohet me mungesën e shefave të misioneve në shumë përfaqësi diplomatike-konsullore. U ktheva nga NATO në nëntor të vitit 2018, pas meje nuk pati ambasador tjetër. Kjo është vërtetë joserioze dhe joprofesionale nga ana jonë, ka ulur kapacitetin e punës së misionit”, tha Zoran Dabiç, Sindikata e diplomatëve.

Por, nga Sindikata e shërbimit diplomatik thonë se pavarësisht se është më mirë që përfaqësuesi i shtetit të jetë i nivelit më të lartë, ushtruesit e detyrës po e kryejnë punën me profesionalizëm, ambasadat janë funksionale ndërkohë që shtetet pranuese kanë mirëkuptim, pasi janë të vetëdijshme për situatën. Procedura e emërimit të 19 ambasadorëve të rinj mbeti pa përfunduar meqë Kuvendi u shpërbë në shkurt për shkak të zgjedhjeve e këto të fundit u shtynë shkaku i pandemisë. Rrjedhimisht përfaqësitë diplomatike- konsullore ku një kohë të gjatë nuk kishim shefa misioni do të mbeten të këtilla edhe për një kohë të pacaktuar, të paktën deri sa të mbarojnë të gjitha procedurat zgjedhore, pas çka pritet të shihet nëse pushteti i ardhshëm do të kontestojë ndonjërin nga kandidatët për ambasadorë.

Kandidatët për ambasadorë në përfaqësi diplomatike-konsullore të Maqedonisë së Veriut

• Agron Buxhaku – Otavë,
• Rami Rexhepi – Romë,
• Beti Jaçeva – Hagë,
• Shpresa Jusufi – Prishtinë,
• Shaban Jashari – Doha,
• Vasko Gërkov – Beograd,
• Ramadan Nazifi – Berlin,
• Sashko Todorovski – Strazburg,
• Abdulkadër Memedi – Abu Dabi
• Misho Dokmanoviq – Tel Aviv,
• Danço Markoviç – Tiranë,
• Sergjim Muhamedi – Osllo,
• Milaim Fetai – Zagreb,
• Faton Bejta – Kopenhagë,
• Ekrem Ebibi – Sarajevë,
• Qenan Ramadani – Bern,
• Teuta Demjaha – Kombet e Bashkuara,
• Dane Talevski – NATO.

Tash esht Koha