Koronavirusi nuk ka ndikim ndaj turizmit të Maqedonisë

Koronavirusi nuk ka ndikim ndaj turizmit të Maqedonisë

Turizmi i Maqedonisë nuk do të goditet në mënyrë të konsiderueshme nga efekti negativ që e ka shkaktuar koronavirusi. Në vend në vit vijnë nga 7000 – 10.000 turistë, më së shpeshti si pjesë të turneve rajonale. Ky është numër relativisht i vogël që të shkaktojë çfarëdo ndikimi ndaj sektorit, thotë drejtori i Agjencisë për promovimin dhe përkrahjen e turizmit, Lupço Janevski.

Sipas Janevskit, tur-operatorët tanë dhe kapacitetet për vendosje tani për tani ende nuk i anulojnë turnet, ku ka edhe turistë kinezë, edhe pse kjo është tanimë rast me disa nga shtetet e Ballkanit dhe në Evropë.

“Pjesëmarrja e turistëve aziatikë nuk është në nivelin më të lartë, ndërsa edhe në vitin 2020 nuk duhet të presim efekt të madh. Saktë është se ka numër të caktuar të grupeve të anuluara, por nga ana e tur-operatorëve të huaj, e jo tanët, pasi në rajon, pra edhe në Evropë po ndodhin anulime të kapaciteteve për vendosje, të cilët nuk dëshirojnë t’i pranojnë mysafirët nga Kina. Kjo te ne ende nuk ka ndodhur dhe shpresoj se nuk do të ndodh, por duhet të presim, të shohim se si do të zhvillohet situata. Nuk kemi numër të saktë të tur-operatorëve të cilët kanë aranzhime ose aranzhime të anuluara për vendin, pasi një numër i madh i tur-operatorëve janë vetëm ndërmarrës të turneve. Sllovenia, Kroacia dhe Serbia do të kenë efekt më të madh negativ pasi kanë 350.000 turistë kinezë në vit, e ne jemi me 7.000 – 10.000”, tha Janevski në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai edhe një herë e përmendi problemin me vizat për turistët kinezë, i cili, shtoi, duhet të tejkalohet për këta mysafirë që të mbahen një ditë më shumë në vend.

Statistikat e fundit thonë se vitin e kaluar vendin e kanë vizituar 14.000 turistë nga Kina dhe janë realizuar 20.000 bujtje.