Drejtues të komunitetit të bizneseve nga Maqedonia kërkojnë që të mbahet një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë për unifikimin e doganave, për eliminimin e barrierave dhe korrupsionit të shkaktuara nga pala maqedonase në vendkalimin kufitar në Bllacë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha në një intervistë për KosovaPress ka thënë se bashkëpunimi ekonomik në mes shteteve të Ballkanit është në nivel të pamjaftueshëm.
Hoxha ka thënë se vendimi për taksat 100 përqind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia rritë këmbimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.
Këmbimi tregtar ndërmjet këtyre dy shteteve, është 217 me 29 milionë euro në vit, në favor të Maqedonisë.
Ai ka kërkuar nga autoritetet maqedonase dhe kosovare që të hapet një terminal doganor në Jazhincë, në pjesën kufitare në afërsi të Tetovës, e cila sipas tij, do të zvogëlonte koston e transportit. Kreu i OEMVP-së ka kërkuar po ashtu nga qeveria e Maqedonisë për krijimin e lehtësirave ndaj bizneseve që veprojnë në Maqedoni.
Hoxha ka thënë se pa një dialog të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, si dhe bizneseve, nuk mund të ketë përparim të ekonomisë dhe nuk mund të ketë promovim të prodhuesve vendor.
Kujtojmë se më 26 nëntor u mbajt mbledhja e pestë e përbashkët e qeverive shqiptare për elidimin e barrierave në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa me Maqedoninë nuk është mbajtur asnjë mbledhje edhe pse ishte premtuar një mbledhje e tillë.