Kosova e do kualifikimin në “Euro 2020”, kërkon fitore kundër Çekisë dhe Anglisë

Presidenti
i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Kosova ka gjasa
reale për t’u kualifikuar në EURO 2020 dhe e ka cilësuar rrugën përmes
play-offs të Ligës së Kombeve si më të lehtë për kosovarët, përderisa i ka lavdëruar
“Dardanët” për mbështetjen e dhënë.

I ftuar në emision sportiv në T7, “Favorit”, sonte është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2020, dyshimet për keqpërdorime me biletat e Kosovës, pozitën e tij si kryetar i FFK-së dhe gjendjen brenda Federatës, shkruan Gazeta Express.

Kosova i ka dy mundësi për t’u kualifikuar në
Kampionatin Evropian 2020 – fillimisht përmes Grupit A, ku radhitet në pozitën
e tretë me një pikë më pak sesa Çekia; e pastaj përmes play-offs të Ligës së
Kombeve, ku në gjysmëfinale e pret Maqedonia, e në finale ose Gjeorgjia ose
Bjellorusia.

“Kosova është në trend të fitoreve dhe e kemi
një grup shumë të mirë të futbollistëve. Lojtarët e Kosovës luajnë me zemër dhe
nuk u intereson për asgjë tjetër, as për të ardhura e as për asgjë”, ka thënë
Ademi në “Favorit”.

“Ne do të kërkojmë fitore në Çeki, por edhe
kundër Anglisë. Natyrisht se askush s’e ka pritur që të jemi kaq të mirë, mirëpo
tani kemi gjasa reale për t’u kualifikuar. E kemi më të lehtë kualifikimin për
play-off-s”.

“Dua t’i falënderoj lojtarët, stafin dhe të
gjithë të përfshirë e veçanërisht forcën tonë kryesore, Dardanët, që kanë qenë
të mrekullueshëm. Ne s’e kemi marrë asnjë vërejtje nga UEFA për ndeshjet e
Kosovës”.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e
dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian
përmes fazës së grupeve. Kjo detyrë është komplikuar nga disfata e Anglisë
kundër Çekisë dhe tani Kosovës mund t’i duhet të paktën barazimi kundër Anglisë
në ndeshjen që do të zhvillohet më 17 nëntor në “Fadil Vokrri”.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i
duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta
siguruar kualifikimin.

Kosova eliminohet nëse humb kundër
Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë
mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes
Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të
paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër
Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht
rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë,
atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të
humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në
këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të
Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/

BURIMI: https://www.gazetaexpress.com/sport/