Kosova kërkon triumfin ndaj Rumanisë në ndeshjen parakualifikuese për ‘Eurobasket 2021’

Sonte (e diel) me fillim nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kosova është nikoqire e Rumanisë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’.

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha ka folur për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, si dhe i ka ftuar shikuesit që në numër sa më të madh të jenë të pranishëm në palestër.

“Për ne lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës çdo stërvitje është me rëndësi, ndërsa ndeshja është e një rëndësie të veçantë, andaj besoj se 100 për qind do të jemi të gatshëm për të dielën. Kemi stërvitur mjaft mirë, atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Lojtarët që për herë të parë janë pjesë e Përfaqësueses na kanë dhënë një energji të re dhe një motivim. E dimë mjaft mirë për çka jemi duke luajtur, do të luajmë para shikuesve tanë si vendas, kemi më dhënë gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje, gjë e cila nuk ka me qenë lehtë. Rumania ka eksperiencë, por ne si ekip çdo ditë po e ngritim nivelin e lojës tonë, po vijnë lojtarë të rinj të motivuar, andaj të dielën do të jemi të gatshëm 100 për qind për fitore. Kisha dashur që të bëjë thirrje tek të gjithë ata që e duan sportin të vijnë të dielën në palestër për të na përkrahur, si dhe ‘Dardanët’ në numër sa më të madh, përkrahësit tanë të flaktë, të cilët do të motivojnë shumë për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Berisha, citon faqja e FFK-së.

Lexo po ashtu:

Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për ‘Eurobasket 2021’.

Pra, Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do ti luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës. Fituesi i grupit do ta siguroj një vend direkt për në kualifikime për ‘Eurobasket 2021’.

Raundi shtesë i parakualifikimeve për ‘Eurobasket 2021’ do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Rosteri i Përfaqësueses së Kosovës kundër Rumanisë:
1. Dardan Berisha;
2. Edmond Azemi;
3. Lis Shoshi;
4. Erjon Kastrati;
5. Meriton Ismaili;
6. Fisnik Rugova;
7. Valon Bunjaku;
8. Drilon Hajrizi;
9. Samir Zekiqi;
10. Rron Grapci;
11. Mikaile Tmusic;
12. Malcolm Armstead.

TAGS