Kosova së shpejti me listë finale të organizatave terroriste

Kosova së shpejti me listë finale të organizatave terroriste

Institucionet e Kosovës, të cilat i takojnë sektorit të sundimit të ligjit, brenda pak ditësh do të takohen, për të koordinuar veprimet dhe përgjegjësitë për zbatimin e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një liste të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do t’i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se në këtë drejtim, aktivitetet e institucioneve dhe dikastereve qeveritare do të intensifikohen gjatë javës që vjen.

“Jemi një varg institucionesh, të cilat duhet të marrin disa vendime për sa i përket dekretit të presidentit, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme”.

“Besoj që ditëve në vijim edhe kryeministri (Ramush Haradinaj) do ta thërras mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku do të diskutojmë për dekretin e presidentit dhe do t’i ndajmë përgjegjësitë tona”.

“Tashmë kemi filluar, në nivel teknik, ndarjen e përgjegjësive tona, për sa u përket obligimeve karshi këtij dekreti të presidentit për shpalljen e organizatave terroriste, në linjë me atë të Bashkimit Evropian”, thekson Tahiri, shkruan REL.