Kosova të ketë kujdes nga radikalizimi në burgje

Kosova të ketë kujdes nga radikalizimi në burgje

Kosovarët që janë duke vuajtur dënimin për shkak të përfshirjes në luftën e Sirisë, mund të dalin nga burgjet me të radikalizuar sesa kur janë futur aty. Kështu ka thënë Henry Tuck nga Instituti për Dialog Strategjik në Londër.

Sipas tij, deradikalizimi i kosovarëve që ishin të përfshirë në luftën e Sirisë dhe Irakut është një proces që kërkon angazhim të madh institucional dhe se institucionet e Kosovës duhet të punojnë me gjithsecilin rast veç e veç.

“Është e nevojshme që të punohet me këtë grup të të burgosurve, t’iu ndihmohet në ndryshimin e pikëpamjeve, t’iu ndihmohet që të kuptojnë rrezikun e terrorizmit dhe ekstremizmit”, thotë Tuck për Radio Evropa e Lirë.

Tuck ka kryer hulumtime të ndryshme në lidhje me çështjen e ish-pjesëtareve të organizatave terroriste si dhe vet procesin e radikalizmit fetar.

Sa i përket rrezikut të mundshëm pas kthimit të grave dhe fëmijëve të pjesëtarëve të ISIS-it në Kosovë, Tuck thotë se ata mund të paraqesin rrezik potencial porse sipas tij, është e rëndësishme që ata të mos ndëshkohen pasi jo të gjithë kanë shkuar me vullnetin e tyre atje.