Kosovës “po i kushtojnë shumë” raportet e ftohta mes krerëve të shtetit

Kosovës “po i kushtojnë shumë” raportet e ftohta mes krerëve të shtetit

Raporte të ftohta mes Kryeministrit Haradinaj, Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli e Presidentit, Hashim Thaçi

Ani pse udhëheqin bashkë vendin, njëri-tjetrin e shohin vetëm në televizor, raporton T7.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj e presidenti Hashim Thaçi duket se nuk po flasin mes vete direkt, por vetëm përmes paraqitjeve mediale.

E që presidenti i kreu i Kuvendit nuk po takohen me të, e pranoi vetë Haradinaj.

Përveç kësaj, kohët e fundit krerët e shtetit po e thumbojnë njeri-tjetrin me deklarata.

E fundit ishte përplasja e kryeparlamentarit me kryeministrin Haradinaj, për çështjen e taksës njëqind për qind, ku Veseli deklaroi se Haradinaj po flet me Amerikën sikur me Serbinë.

Atij i është përgjigjur menjëherë Haradinaj.

E, krerëve të shtetit mund t’iu duken normale këto raporte, por Kosovës “po i kushtojnë shumë”.

Kështu vlerëson njohësi i çështjeve politike në vend, Rrahman Paçarizi.

Në anën tjetër, në Institutin D+ thonë se raportet e krerëve të shtetit kanë qenë edhe më herët të acaruara, por një gjë e tillë është tentuar të fshihet.

Raportet e tyre kishin filluar të ftoheshin në samitin e Berlinit, ku në një tavolinë me ndërkombëtarët burrështetasit kosovar nuk kishin unitet mes vete.