Krasniqi: Nga PTK do të largohen gjysma e punëtorëve, ose do të ulen pagat

Krasniqi: Nga PTK do të largohen gjysma e punëtorëve, ose do të ulen pagat

Fidel Krasniqi, anëtar i bordit në Telekomin e Kosovës, ka thënë se gjendjen e rëndë në PTK e kanë trashëguar nga menaxhmentet e kaluara.

Krasniqi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Bordi aktual është zgjedhur edhe nga ndërkombëtarët, prandaj nuk ka ndërhyrje politike.

“Në krye të dy muajve Albin Kurti ka kërkuar shkarkimin e bordit të Telekomit. Në çfarë baze kërkon këtë lideri i Vetëvëndosjes?”, i është drejtuar Krasniqi, Zogianit.

Ai ka sqaruar edhe emërimin e Gent Begollit si kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.

“Nga ata persona që kanë konkurruar, Begolli ka qenë më i miri”, ka deklaruar anëtari i bordit në Telekomin e Kosovës, përcjell Telegrafi.

Krasniqi ka thënë se disa punësime janë bërë për shkak të fluksit të mërgimtarëve, dhe se ata kanë kontratë mbi vepër në kohë prej tre muajve, prandaj nuk mund të konsiderohen si të punësuar.

Duke akuzuar bordin e kaluar për punësimet në Telekom, ai ka thënë se ka njerëz që nuk janë prezentë, e vazhdojnë të kenë kontrata.

“Ka njerëz që kanë kontrata në Telekom, e nuk janë aty”, përcjell Telegrafi.

Krasniqi ka thënë se rimëkëmbja e Telekomit kërkon investime në harmoni me teknologjinë e fundit.

“Investimi i ri në Telekom me teknologjinë e fundit, në 512 ndërtesa me teknologjinë e fundit kushton 17-22 milion euro”.

Sipas Krasniqit, nëse një kompani është në vështirësi duhet te zgjidhjet njeri nga modelet që mund të jenë të dhembshme.

“Njëri nga modelet është që gjysma e punëtorëve ose ¾ e punëtorëve duhet të shkojnë në shpi, modeli tjetër japonez, të solidarizohemi dhe t’i ulim pagat”.

Anëtari i bordit në Telekomin e Kosovës ka paralajmëruar dorëheqje nëse sipas tij bëhen kontrata të dëmshme.

“Nëse bëhen kontrata të dëmshme për PTK-në, unë publikisht premtoj se do të japë dorëheqje”, ka thënë më tej Fidel Krasniqi, anëtar i bordit në Telekomin e Kosovës./Telegrafi/

TAGS