Krisma e deputetit me armë është shkollë e BDI-së

Krisma e deputetit me armë është shkollë e BDI-së

Sulejman Mehazi

I nderuar Ali Ahmeti, si është e mundur deputeti juaj të krisë në dasmë me armë, të plagos dy dasmorë e të mos përgjigjet fare juridikisht? Sikur s’ka ndodh asgjë. Plus bëheni sikur s’ka patur dasmorë e se ka parë kush. Më e keqja i biri i popullit tuaj, deputeti juaj del mohon krismën duke irituar jo vetëm popullatën, por edhe dasmorët që kanë qenë prezentë gjatë krismës e plagosjes së djalit të tij dhe të një dasmori.

Ky skandal të kishte ndodhur në vendet e zhvilluara evropiane me drejtësi të përplotë e të barabartë për të gjithë, që, atë ditë deputeti juaj ishte burgosur e do humbte dhe të drejtën e deputetit.
Turpi madh!, tani e tutje si do arsyetoheni për drejtësi, si do ju zëmë besë juve, për ju drejtësia vlen vetëm për masën e gjerë popullore e kurrsesi për funksionarët, deputetët, ministrat e BDI-së. Po sikur deputeti juaj të kishte vrarë djalin e vet atëherë kush do ta merrte përgjegjësinë, a?, ndoshta ndonjë dasmor i pafajshëm do ishte prangosur në vend të deputetit tuaj.

Kur ai del, deklaron, e se pranon fajin e bërë para dasmorëve, pa fije ndërgjegje e turpi, gënjen, e thotë se s’ka krisur, atëherë na tregoni si t’ju zëmë besë juve, deputetëve e partisë suaj.

Sikur të kishte krisur tjetër kush e të plagoste dy dasmorë a do ishte përgjigjur e prangosur në moment? Ali Ahmeti, me siguri ju e keni mësuar deputetin tuaj të krisë si kauboj e kapadai e të mos përgjigjet para askujt, po, po z.Ali Ahmeti, kjo është shkolla juaj e pushkëve dhe krismave nëpër dasma e ahenge të ndryshme. Mësoi pak i nderuar Ahmeti e thuaju se pushka përdoret për zor e rrezik e jo nëpër dasma, qejfe e ahenge.