16 April 2018 / 15:16
Maqedonia nuk mund të përballet me një fluks të ri emigrantësh nga Siria. Kjo për shkak se vendi nuk është më në listën e emigrantëve që transitojnë nëpër vendet e Ballkanit. Duke komentuar paralajmërimet e ministres së mbrojtjes Shekerinska, se sulmet ajrore në Siri mund të sjellin emigrantë të rinj, Jasmin Rexhep i shoqatës “Legis” tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodh pasi shumica e tyre do të ndalen në Turqi.
Atë që e kemi si njohuri nga terreni se numri i refugjatëve në periudhën e kaluar nga Siria në vendet përreth është rritur për 1 milion, që është një numër i madh, tani për tani ajo nuk ka asnjë lloj efekti drejt vendeve tjera, jashtë Turqisë. Duke pasur parasysh numrin e refugjatëve që kalojnë nga Turqia në Greqi dhe nëpërmjet rrugës së re, Shqipëri, Mali Zi drejtë Bosnjës, Maqedonia nuk do të jetë seriozisht e prekur me numër të madh të refugjatëve -tha Jasmin Rexhepi, Kryetar i Shoqatës “Legis”.
Ndërsa drejtuesit e Shoqatës “Kalliri i Mirësisë” thonë se vendi mund të përballet me fluks të ri emigrantësh, andaj kërkojnë ndihmën e Institucioneve.
Ne jemi të shqetësuar edhe pas deklaratave të shumta nga lidership të ndryshëm nga Turqia e tjera, se mund të ketë grupe të emigrantëve të rinj të cilët drejtohen kah vendet tona. Duke u bazuar në përvojën e kaluar ne kësaj radhe duhet të jemi më të përgatitur dhe t’i eliminojmë të gjitha dobësitë të cilët kanë ndodhur në periudhën e kaluar – u shpreh Rufat Sherifi, Kryetar i Shoqatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë.
Që nga shpërthimi i dhunës në Lindjen e Mesme, nëpër territorin e Maqedonisë kanë kaluar mbi 800 mijë emigrantë, ndërsa dhjetëra prej tyre akoma qëndrojnë në kampin për emigrantë në afërsi të kufirit me Serbinë në Tabanoc.