“Kryeministri pistolier që mendon se është shahist”

“Kryeministri pistolier që mendon se është shahist”

Marsel Lela

Jo shumë muaj më parë, në një tjetër përplasje me presidentin Ilir Meta, kur ky i fundit nuk pranoi të dekretonte Fatmir Xhafën si ministër të Brendshëm, kryeministri Edi Rama e konsideroi politikën si shah. Ndryshe nga përplasja aktuale me Metën, Rama asokohe ‘i ngriu’ figurat e fushës së tij dhe nuk lejoi asnjë prej tyre, as të reagonin për situatën.

Në fakt, nga lëvizjet që ka bërë Rama që prej ardhjes në pushtet nuk mund të thuhet se ai është një shahist për të qenë, duke marrë parasysh numrin e figurave që kundërshtari i ka ‘përlarë’ nga fusha.

Sigurisht, Rama nuk e kursen dorën kur vjen puna për të sakrifikuar ushtarët që të mbrojë mbretin (vetveten), dhe ushtarë ai ka sakrifikuar jo pak. Mjafton të përmendim vetëm disa syresh: Qazim Sejdini, Arben Ndoka, Mark Frroku, Arben Çuko, dhe së fundmi, siç duken bathët, edhe Vangjush Dakon, si dhe ‘oficerët’ Sajmir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj. Secili prej tyre përfaqëson një skandal.

Ata që po ia mbajnë aktualisht me thonj kalanë Ramës janë dy ‘torrat’ Taulant Balla dhe Erion Braçe, bashkë me ‘mbretëreshën’ Spiropali, si figurat më të afërta dhe më të lëvizshme pranë mbretit në çdo rast rreziku. Por në optikën e Ramës askush nuk është i pasakrifikueshëm.

Çdo skandal i qeverisë Rama, dhe të tilla, sipas prestigjozes britanike The Guardian atij i ndodhin çdo muaj, është shoqëruar me largimin e një figure nga fusha e Ramës.

Në shahun politik, figurat jo thjeshtë dalin nga loja. Ato nuk janë immobile si në shahun real, por mund të kthehen fare lehtë në kundërshtarë, siç ndodhi me Metën, dikur kingmaker-i i Ramës.

Jo shahist. Kryeministri ngjan sot më tepër me një pistolier të filmave ëestern. Më shumë se një fushë shahu ai e ka kthyer situatën politike në vend në një duel meksikan mes tij, Bashës dhe Metës, ku pritet cili do “vrasë” kë.

‘Plumbat qorr’ të Metës, me të cilët Rama tha sot, në debatin për shkarkimin e presidentit, po godasin zgjedhjet, në fakt dalin nga koburja e tij politike duke goditur opozitarizmin, pluripartizmin dhe demokracinë, dhe si rrjedhojë çeljen e negociatave për antarësim të Shqipërisë në familjen europiane./politiko